Presidenti dekoron firmëtarët e aktit të pavarësisë
Në ambientet e Kuvendit, nën kujdesin e Kryetares Jozefina Topalli, dje është organizuar ceremonia e dorëzimit të dekoratave që janë dhënë nga Presidenti i Republikës me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes, të pesë personaliteteve të historisë, firmëtarë të aktit të pavarësisë dhe patriotë të shquar Lef Nosi, Dom Nikollë Kaçorri, Mit‘hat Frashëri, Pandeli Evangjeli e Ali Këlcyra. Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" iu dha këtyre atdhetarëve të shquar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në ceremoni të pranishëm kanë qenë familjarë të firmëtarëve, historianë e studiues, deputetë, analistë të medias etj. Në hapje të ceremonisë, Kryetarja Topalli tha, "sot ndihem shumë mirë që jemi në këtë ceremoni të dekorimit të firmëtarëve të pavarësisë, të patriotëve dhe të njerëzve për të cilët historia jonë dhe ne nderohemi. Gjej rastin të falënderoj historianë, studiues, hulumtues për punën e tyre. Natyrisht që dekorimi nga Presidenti i Republikës me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" të Mit‘hat Frashërit, Dom Nikollë Kaçorrit, Lef Nosit, Pandeli Evangjelit dhe Ali Këlcyrës është një nder që nuk u bëjmë ne atyre, por një nder që ata na kanë bërë ne dhe historisë sonë. Unë gjithmonë kam menduar se një vend i lirë dhe një komb i lirë nuk e sheh kurrë historinë bardhezi. Sot nuk ka më firma të munguara në aktin e pavarësisë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se nuk mund të ketë kurrë as vlerësime të munguara". Më pas historianë, studiues e analistë të medias kanë folur për figurat e Pandeli Evangjelit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit, Mit‘hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës. Drejtoresha e Arkivit Shtetëror, Nevila Nika, foli për figurën e Mit‘hat Frashërit, i cili sipas Nikës çoi emrin e të atit, Abdyl Frashëri dhe të xhaxhallarëve të tij, në majat më të larta, duke u bërë pjesë e historisë së vendit. Zonja Nika, ndër të tjera, veçoi kontributin e dhënë nga Mit‘hat Frashëri për hedhjen e bazave për krijimin e Bibliotekës Kombëtare shqiptare. Historiani dhe studiuesi, Kasem Biçoku, duke folur për figurën e Lef Nosit, i cili është pushkatuar nga regjimi komunist në moshën 70-vjeçare, u shpreh se veprimtaria atdhetare e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare ka dalë në pah në fillim të shekullit të 20-të. Në emër të historianit Kristo Frashëri, i cili mungoi në ceremoni për arsye shëndetësore, u lexua një shënim për figurën e Dom Nikollë Kaçorrit si një figurë që ka kontribuuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit dhe kulturës. Botuesi dhe analisti, Mero Baze, në fjalën e tij, u përqendrua në figurën e Ali Këlcyrës si një personalitet, i cili, sipas Bazes ka një histori të pangjashme me figurat e tjera të Pandeli Evangjelit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit e Mit‘hat Frashërit.