E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA konfirmon garën për sfidën e mijëvjeçarit

Konfirmohet ftesa e Shqipërisë për programin e dytë të pragut të sfidës së mijëvjeçarit. Drejtori ekzekutiv i Millennium Challenge Corporation, John Danilovich, i dërgon një letër Kryeministrit Sali Berisha ku i konfirmon pjesëmarrjen në garë të Shqipërisë për një fond nga sfida e mijëvjeçarit. Bordi i Drejtorëve i Sfidës së Mijëvjeçarit miratoi një fond prej 13.85 milionë dollarësh për Shqipërinë në kuadër të programit Threshold në shkurt të vitit 2006. Ky program ka si mision të reduktojë korrupsionin përmes reformave në administratën tatimore, prokurimet publike dhe regjistrimin e biznesit. Bordi i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit i mbledhur në Uashington vendosi ta ftojë Shqipërinë të aplikojë për fazën e dytë të programit "Threshold" të kësaj korporate. Bordi vlerëson se Shqipëria duhet të aplikojë për fazën e dytë të këtij programi për të çuar më tej sukseset e arritura në zbatimin e programit aktual ‘Threshold" dhe për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për reforma, të cilat e ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë kushtet e kërkuara për të aplikuar për fonde më të mëdha të këtij programi. Ky program mund të nisë pas përfundimit me sukses të plotë të fazës aktuale të programit "Threshold", e cila pritet të mbyllet në fund të muajit shtator të vitit 2008. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një korporatë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo bazohet në parimin që ndihma është më efektive, kur forcohet qeverisja e mirë, liria ekonomike dhe investimi te njerëzit. Misioni i korporatës është reduktimi e varfërisë globale përmes promovimit të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Para se një vend të konsiderohet i pranueshëm për të përfituar nga ndihma e korporatës, ai vlerësohet për performancën bazuar mbi tregues transparentë dhe të pavarur. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit zgjedh vendet e përshtatshme, të cilat mund të aplikojnë për këtë program. Vendet që kanë demonstruar përmirësimin të dukshëm në treguesit e vlerësimit, por që nuk kualifikohen për përfitimin e ndihmës mund të aplikojnë për ndihmën e programit Threshold. Ky program përfshin grante më të vogla që ndihmon përmirësimin e performancës në tregues specifikë. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit drejtohet nga drejtori ekzekutiv dhe mbikëqyret nga Bordi Drejtues, i cili është përgjegjës për llogarinë e sfidës së mijëvjeçarit, i cili merr fonde çdo vit nga kongresi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›