E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo dhe Xhuveli kërcënojnë PS e PD

Përplasje në koalicionin qeveritar për reformën zgjedhore. Aleatët e PD-së kanë kundërshtuar deklaratën e dy bashkëkryetarëve të PD-së dhe PS-së për rritjen e pragut elektoral. Për këtë arsye ka ngrirë edhe funksionimi i tryezës së koalicionit qeveritar për të shmangur debatet mes partisë më të madhe dhe aleatëve të saj të vegjël. Për herë të parë, për këtë çështje, ka reaguar edhe ministri më i vjetër dhe njëkohësisht edhe kryetari më i heshtur i koalicionit të djathtë, kreu i PAA-së, Lufter Xhuveli. Kryetari i agraro-ambientalistëve ka rënë dakord për sistemin gjerman, por ka kërkuar që pragu të mos të jetë më i madh se 2.5%. "Rritja e pragut do të dëmtojë konkurrencën dhe është e dëmshme për partitë në Shqipëri", u shpreh Xhuveli. Edhe demokristianët dalin hapur pro sistemit gjerman, por kërkojnë një prag shqiptar. Duke shprehur bindjen se A-ja në demokraci fillon nga zgjedhjet e lira, demokristianët shprehen se për çështjen e pragut duhet konsensus dhe nuk duhen përjashtuar subjektet politike, qofshin ato edhe të vogla. "Partia Demokristiane mendon se sistemi gjerman do të vendosë në vendin tonë kulturën e votës demokratike dhe do të afrojë më tej Shqipërinë me vlerat e demokracisë kristian-demokrate perëndimore", tha sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Vladimir Beja. Sipas tij, PDK-ja është e mendimit se sistemi gjerman shmang ndërhyrjet e shumta në Kushtetutë dhe ndërkohë eliminon fenomenin negativ të deformimit të votës taktike, që njihet gjerësisht si fenomeni i "Dushkut". Duke dhënë argumente përse mbështesin këtë sistem, demokristianët shprehen se "sistemi gjerman do të ishte i përshtatshëm për t‘u zbatuar në vendin tonë, sepse do të mjaftonte që votimi të bëhej me një fletë votimi, çka do të eliminonte plotësisht fenomenin e "Dushkut". Zbatimi i këtij sistemi do të rrisë transparencën e subjekteve politike mbi procesin, do të forcojë administratën zgjedhore si dhe do të përafrojë zonat elektorale me njëra-tjetrën, çka do të eliminonte disbalancën e theksuar të numrit të votuesve". Sistemi gjerman perceptohet si familjar nga të vegjlit e djathtë, sepse është i ngjashëm me atë që Shqipëria ka përdorur me zgjedhjet e vitit 1992. Në lidhje me debatet teknike, nëse lista zgjedhore duhet të jetë e hapur apo e mbyllur, partitë e vogla mendojmë se një tryezë politike e gjerë do të zgjidhte dhe diskutonte të gjitha këto elementë të rëndësishëm të sistemit. Kampit të djathtë i ngelet vetëm të reflektojë mbi propozimet e saj në lidhje me kodin e ri elektoral për të shpëtuar nga përçarja. Ulja në një tryezë politike për të negociuar, ku të pranishëm kërkohen edhe ekspertë, do t‘i hapte rrugë miratimit të kodit të ri zgjedhor. Në po të njëjtën linjë ka reaguar edhe kryetari i PBDNJ-së, i cili kërkon pragun aktual, por mbi të gjitha shprehet mosbesues te Partia Demokratike për mënyrën sesi ajo do të zgjedhë pragun elektoral.

Milo kërcënon: Po ndryshoi pragu, dalim të vetëm në zgjedhje

Gatishmëria e dy partive të mëdha për të rritur pragun elektoral duket se nuk është pritur mirë nga partitë e vogla. Këta të fundit janë kundër rritjes së pragut elektoral dhe kanë nisur kërcënimet ndaj partive të mëdha. Kërcënimi i parë nga partitë e vogla të majta ka ardhur dje nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili gjatë mbledhjes së asamblesë së partisë së tij nuk ka mundur të anashkalojë çështjen e pragut, duke deklaruar se nëse partitë e majta nuk ulen për të gjetur një zgjidhje konkrete për reformën zgjedhore dhe për pragun elektoral, atëherë partia e tij do të dalë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme. "Opozita e bashkuar duhet të gjejë një formulë të përbashkët për reformën zgjedhore, sidomos për çështjet që lidhen me sistemin dhe pragun elektoral. Në të kundërt, PDS do të konkurronte e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare", ka deklaruar kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Ai ka theksuar më tej se PDS-ja do të përpiqet ashtu sikurse do të përpiqen edhe partitë tona aleate, që të gjendet një formulë bashkëpunimi për reformën zgjedhore, e cila të përfaqësojë të gjithë interesat e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, ka shtuar ai më tej, në rast se forcat e majta nuk gjejnë konsensus lidhur me çështjet kryesore të kësaj reforme, atëherë PDS nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hyjë e vetme në zgjedhje. Sipas Milos, në rast se opozita e bashkuar nuk do të mund të arrijë në një formulë të përbashkët që do të përmbledhë interesat dhe synimet e të gjithë opozitës së bashkuar, si për sistemin, ashtu edhe për reformën në tërësi, PDS-ja nuk garanton fitoren e ardhshme elektorale dhe padyshim kjo forcë politike nuk do t‘i bashkohet një formule zgjedhore që nuk do të mbrojë dhe përfaqësojë interesat e saj themelore. "Në rast se interesat e PDS-së nuk përputhen me formulën dhe sistemin që do të miratohet në përfundim të kësaj reforme, që është në kundërshtim të interesave për zgjedhje të lira e të ndershme, ne jemi të gatshëm për të shkuar dhe të vetëm në zgjedhje. Ky është një mesazh që duhet ta dëgjojnë mirë dhe partnerët tanë, edhe kundërshtarët tanë", ka theksuar kryetari i PDS-së. Gjithashtu, Milo ka kërkuar që të unifikohet qëndrimi i forcave të majta dhe për të unifikuar këtë qëndrim, është shprehur Milo, duhet të funksionojë tryeza e opozitës, për të diskutuar propozimet e çdo partie dhe për gjetjen e një konsensusi. Çështja e reformës zgjedhore dhe konkretisht e përcaktimit të pragut elektoral është bërë mjaft shqetësuese për partitë e vogla politike, si të majtat, ashtu edhe të djathta. Kjo për vetë faktin se PD-ja dhe PS-ja duket se kanë rënë dakord për rritjen e pragut elektoral të paktën në 4%, ndërkohë që pa pasur parti të vogla si ajo e Lesit dhe partia që pritet të krijojë Ngjela, të cilat janë shprehur për një prag elektoral prej 5%. Prag i cili i frikëson partitë e tjera të vogla duke përjashtuar këtu ndoshta LSI-në, e cila e ka pranuar pragun prej 4%, por ky kufi për partitë e tjera shihet si i paarritshëm. Tashmë sapo ka filluar diskutimi për realizmin e reformës zgjedhore dhe për ndryshimin e pragut elektoral. Para pak ditësh Kuvendi ka vendosur edhe shtyrjen me katër muaj të tjerë të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe në vitin që vjen pritet të nisin diskutime më intensive për të mbyllur njëherë e mirë "odisenë" e ndryshimit të reformës zgjedhore. "Odise" e cila ka nisur gati dy vjet më parë, por deri më tani nuk është shënuar asnjë hap konkret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›