Tiranë, miratohen 79 kërkesa për leje dhe sheshe ndërtimi
Në një mbledhje maratonë prej afro 7 orësh, KRRT-ja ka miratuar mbrëmë një sërë vendimet. Plot 79 kërkesa për leje dhe sheshe ndërtimi dhe legalizime të bëra nga subjekte private dhe qytetarë. Po kështu Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka miratuar një sërë projektesh të propozuara nga Bashkia e Tiranës. Ndër to përmendim studimin urbanistik pjesor për banesa sociale, në zonën që kufizohet nga rruga "Ali Demi", Lumi i Lanës. Afro 350 familje të pastreha do të sistemohen në këtë lagje. Dje u miratua edhe projekti i zbatimit të rikualifikimit urban të Sheshit "Shtraus" dhe trajtimin e fasadave të dy rrugëve lidhëse deri në kryqëzimin me Unazën, miratim i kërkuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban. Zyra e shtypit në bashki njoftoi se është miratuar edhe projekti për rikualifikimin urban të sheshit te "21 Dhjetori", hartuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban. Një projekt tjetër që iu hap drita jeshile është edhe ai për rikualifikimin urban të sheshit në Kombinat. Ndërsa në rrugën "Ali Demi" u miratuar rikualifikimi urban i terreneve sportive. Duke përmendur ndërhyrjet në infrastrukturë që pritet të bëjë Bashkia tashëm që mori lejen e KRRT-së, theksojmë edhe projektin e zbatimit të kryqëzimit në nivel, midis Rrugës së Kavajës me rrugën "Teodor Keko" (Unaza e Re), kërkuar nga Njësia e Menaxhimit të Projekteve në Bashkinë e Tiranës. Po në këtë zonë u miratua projekti i zbatimit të urës tek Shkolla Teknologjike, kërkuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban. Edhe urbanizmi i Laprakës kërkuar nga Njësia e Menaxhimit të Projekteve në MPPTT, financuar nga "Kooperacioni Italian" është miratuar gjatë mbledhjes së djeshme. Gjithashtu, Bashkia ka vendor të ndërhyjë edhe në një sërë blloqesh banimi, ku do të përmirësohen rrugë të brendshme të tyre. Përmendim rikonstruksionin në rrjetin rrugor të Bllokut Nr.40,tek rruga "Punëtorët e Rilindjes". Infrastruktura e rrjetit rrugor të Bllokut Nr.22, në rrugën "Muhamet Gjollesha". Rrjeti rrugor të Bllokut Nr.17, në rrugën "Mine Peza". Ndërsa për Unazën e madhe të qytetit drejtoria e Planifikimit urban ka kërkuar rishikim të projektit.