Shpërthen "Pato-mania" te Milani
Aleksandre Pato është basti i parë i fituar nga Milani, të paktën kështu duket, pas ndeshjes së parë të sulmuesit në Serinë A. Futbollisti brazilian ka shkëlqyer, duke i dhënë shpejtësi repartit të avancuar të kuqezinjve, për të kujtuar paraardhësit e tij të famshëm, Shevçenko (fanellën e të cilit ka trashëguar), Van Basten dhe Ueah. Ashtu si ish-kampionët e Milanit, ai ka shënuar që në ndeshjen e debutimit, por duke arritur ta bëjë një gjë të tillë në një moshë shumë më të re. Kjo ka bërë që tifozeria t‘i thurë atij kore në stadium, por nuk kanë mbetur mbrapa as shokët e tij të skuadrës apo drejtuesit e Milanit, që e kanë mbështetur që në ditën e parë te kjo skuadër.
Vetë futbollisti, pas golit të shënuar, ka përshëndetur i emocionuar tifozerinë, pasi e ëndërronte një debutim të tillë në "San Siro". Ai ka treguar se e ka pasur shumë të vështirë të flejë gjumë natën e së dielës, të kaluar duke festuar fillimin e mbarë të eksperiencës italiane me familjen e tij. "Jam shumë i lumtur, pasi kam luajtur një ndeshje shumë të mirë. Jam i lumtur edhe për familjen time, e cila tashmë banon në Milano, pasi dëshiron të më ndjekë nga afër. Goli? Ishte një lëvizje në shpejtësi, ashtu si më pëlqen. Mendoj se do të shënoj përsëri në të ardhmen", u shpreh sulmuesi për mediat italiane. Komplimentet më të mëdha kanë ardhur menjëherë nga shokët e skuadrës, ku kolegu i tij në vijën e sulmit, Ronaldo, e ka vlerësuar paraqitjen e futbollistit 18-vjeçar. "Unë u argëtova shumë ndaj Napolit. Pato? Mendoj se meriton notën 10 për pritjen e gjatë të këtyre ditëve të fundit dhe për të gjithë presionin me të cilin është përballur. Nuk është e lehtë për një djalosh 18-vjeçar të ndikojë në ecurinë e ndeshjes, në një stadium si "San Siro" të mbushur nga tifozët", deklaroi Ronaldo, i cili ndonëse shënoi dy gola, vendosi që suksesin t‘ia dedikonte pikërisht bashkëkombësit të tij.
Edhe trajneri Ançeloti ka përgëzuar lojtarin e ri, por ka treguar se ishte i sigurt për një paraqitje të tillë të 18-vjeçarit. Por ai ka saktësuar se në këtë ndeshje ka ndikuar shumë edhe kthimi i Ronaldos, një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës për pjesën e dytë të sezonit. "Ishim të sigurt që Pato do ta shpërblente besimin tonë. Por në fushën e lojës, ai ka pasur një pikë referimi shumë të rëndësishme, Ronaldon, i cili po kthehet në formën më të mirë fizike, pasi kualiteti i tij mbetet i padiskutueshëm. Pato është një lojtar shumë i qetë, një cilësi e rrallë. Kur unë debutova në moshën 20-vjeçare në Serinë A isha shumë i shqetësuar. Por Pato nuk shfaqi shenja të tilla, ka cilësi të mëdha dhe kjo e ka ndihmuar të jetë i qetë në ndeshjen e parë", u shpreh Ançeloti.