Xhani mban fjalën: shpërndan 20 milionë lekë për skuadrën
Partizani largon rrezikun e "hemorragjisë" së futbollistëve kryesorë dhe mund të vazhdojë të pretendojë për titullin kampion. Në ekstrem të afatit të vendosur nga vetë ai (dje ishte dita e fundit e premtuar për shlyerjen e detyrimeve financiare), presidenti Albert Xhani ka shpërndarë rrogat e tre muajve të fundit: 20 milionë lekë të reja. Drejtuesi i klubit ka pohuar se gjithmonë ka qenë i qetë për situatën që u krijua dhe se askush nga lojtarët nuk do të largohej. "Të them të drejtën, asnjëherë nuk kam qenë i shqetësuar për situatën e krijuar nga vonesa e rrogave", deklaroi Xhani. "E dija që do t‘i shlyeja në kohë të gjitha detyrimet financiare dhe të gjithë futbollistët do të qëndronin në skuadër. Vonesat njihen gjithandej dhe nuk ishte ndonjë çudi. Nuk dëshiroj që këtë ta përdor si justifikim, pasi e di që për Partizanin përgjigjem unë, megjithatë e dija se do t‘i jepja të gjitha paratë". Për presidentin e klubit, vonesa 3-mujore e dhënies së rrogave të futbollistëve ka bërë bujë, pasi të kuqtë kanë tifozë në të gjithë vendin. Gjithsesi, ai vazhdon të jetë i mendimit se mediat kanë abuzuar me situatën rreth skuadrës së tij, pasi në Kategorinë Superiore ka edhe shumë skuadra te të cilat detyrimet financiare nuk shpërndahen rregullisht. "U shkruajt për një kohë të gjatë për Partizanin, por po të pyesni, ka edhe disa skuadra të tjera të Superiores ku paratë kanë kohë që nuk jepen, vazhdoi ai. Jam i vetëdijshëm se problemet në klubin tonë përbëjnë lajm, pasi kemi 70 për qind të tifozerisë shqiptare. Megjithatë, në shumë raste abuzohet me gjërat që shkruhen".
Pasi ka siguruar qëndrimin e "boshtit të skuadrës", Xhani po mendon edhe për merkaton, ku synon të ndërtojë një Partizan edhe më konkurrues. Edhe pse janë dukur joaktivë, ai ka saktësuar se "në asnjë moment nuk e kam konsideruar merkaton të mbyllur". Objektivi është afrimi i tre futbollistëve në tre reparte të ndryshme, të cilët do të rrisin kualitetin dhe konkurrencën brenda grupit. Synimi është afrimi i lojtarëve shqiptarë, të cilët e njohin kampionatin dhe mentalitetin në futbollin tonë, por nuk përjashtohet që ndonjë të jetë edhe i huaj. Gjithsesi, emrat mbahen sekret: "Do të afroj tre lojtarë në tre repartet e skuadrës, por emrat nuk i bëj publikë. Synimi është që të marrim lojtarë shqiptarë, por edhe të huajt mbeten alternativë që nuk përjashtohet".