Vendimi, 445 milionë për shpronësimet nga ndërtimi i rrugëve
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje listën e personave që do të shpronësohen nga ndërtimi i dy segmenteve kryesore të vendit.
Me një vendim të qeverisë, 404 milionë lekë do të kalojnë në dispozicion të personave që do të përfitojnë nga shpronësimi si pasojë e ndërtimit të aksit rrugor Levan-Vlorë dhe 51 milionë do të përdoren për të dëmshpërblyer familjet që preken nga ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash.
Rruga Levan-Vlorë
Ndarja e parave për personat që përfitojnë shpronësim nga ky segment do të fillojë më 15 mars dhe do të përfundojë më 30 qershor 2008. Me vendim qeverie, shpronësimi do të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen në vlerë të plotë për sipërfaqen 253036 m² tokë/arë, të vlerësuar me çmimin 1600 lekë/m², me vlerë të përgjithshme shpronësimi 404857 600 lekë.
Shpenzimet procedurale, në shumën një milionë e 600 mijë lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për këtë segment rrugor, shkon në 404.857.600 lekë dhe ky fond duhet të ndahet brenda datës 30 qershor të këtij viti. Këto të ardhura do të përballohen nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, "Fondi i shpronësimeve", në Bankën e Shqipërisë. Pronarët do të kompensohen menjëherë pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Për pronarët, për të cilët është shënimi "Bllokuar nga ATK-ja", Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarit, pasi ky i fundit të ketë përmbushur detyrimet ligjore dhe të ketë paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do tё kryejë më pas verifikimet për përputhshmërinë e sipërfaqeve, të cilat preken nga shpronësimi, me numrat e pasurive në pronësi të pronarëve, që shpronësohen.
Rruga Rrëshen-Kalimash
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Sipas vendimit, shpronësimi do të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme tё Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen 58570 m² tokë/arë, të vlerësuar me çmimin 650 lekё/m², me vlerë 38 milionë lekë, ndërsa për sipërfaqen 8859.5 m² tokë/truall, të vlerësuar me çmimin 1500 lekë/m², me vlerë 13 milionë lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të jetë 51 milionë lekë dhe do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, "Fondi i shpronësimeve", në Bankën e Shqipërisë. Edhe për këtë aks rrugor, shpronësimi fillon më datë 15 mars dhe përfundon më 30 qershor. Pronarët do të kompensohen menjëherë sapo të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.