E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Çmimet i vendos konkurrenca

Situata e turbullt në tregjet
ndërkombëtare dhe paralajmërimet
për një tjetër
krizë çmimesh kanë rikthyer
edhe një herë debatin se si
mund të administrohet kjo situatë
në vend. Qeveria argumenton se
nuk mund të ndërhyjë në treg,
pasi nuk i ka kompetencat ligjore
për ta bërë këtë. Ministri i Financave,
Ridvan Bode, në konferencën
e djeshme për shtyp, në
lidhje me paralajmërimet e
prodhuesve të bukës për një rritje
të çmimit deri në 120 lekë deklaroi:
"Kjo nuk është temë e re, pasi edhe
në vitin e kaluar shoqatat e
prodhuesve të bukës bënë disa
herë kërcënime për rritje çmimesh
dhe nuk mendoj që çmimet në
treg janë produkt i marrëveshjeve
horizontale që bëjnë prodhuesit
dhe as nuk do të jenë objekt i debatit
që do të bëjë Ministria e Financave
lidhur me çmimet. Çmimet
kanë një tendencë të tyre dhe
bazohen në disa parime, në koston
e prodhimit dhe në garën e hapur
të tregut. Ne mendojmë se tregu
vetë do të përcaktojë se cili do të
jetë niveli i çmimit të bukës në Shqipëri".
Por ish-ministri i Ekonomisë,
Anastas Angjeli, të cilit iu
desh të përballej me një situatë të
tillë, në kohën kur drejtonte ekonominë
shqiptare nuk ndan të
njëjtin mendim me qeverinë.
"Qeveria fare mirë mund të thotë
se nuk është kompetencë e saj të
shqetësohet për çmimet, pasi duhet
të jetë Banka e Shqipërisë ajo
që duhet ta bëjë këtë. Por atëherë
lind pyetja se përse na duhet
qeveria", thotë Angjeli. Ndryshe
nga Bode, ish-ministri socialist
mendon se shteti mund të frenojë
rritjen e çmimeve me anë të disa
ndërhyrjeve të tërthorta.
Si mund të ndërhyhet
Ndërsa qeveria ka preferuar ta
lërë ecurinë e çmimeve në dorë të
tregut, Angjeli tregon se, cilat janë
sipas tij, masat që mund të ndërmerren
në këtë situatë. "Në rastin e
bukës mund të konsiderohet një
ulje e çmimeve të energjisë, e cila
shpeshherë përbën dhe një nga
zërat më me peshë të kostos së prodhimit.
Por një tjetër metodë është
rishikimi i akcizës së karburanteve
dhe nuk mendoj se rritja
e tyre siç ndodhi së fundmi është
rruga e duhur. Po kështu edhe
rillogaritja e tatimeve në bazë të
çmimeve të rritura është një masë
që mund të ndikojë në frenimin e
rritjes së çmimeve", vazhdon Angjeli.
Duke iu referuar edhe zhvillimeve
në bilancin tregtar, ku deficiti
vazhdon të përkeqësohet,
Angjeli, sheh si një rrugë tjetër të
ndërhyrjes së qeverisë, nxitjen e
prodhimit vendas, për ato
produkte që mund të prodhohen.
Veç këtyre ai propozon edhe zbatimin
e ligjit të falimentit, i cili
ndonëse është miratuar para dhjetë
vitesh nuk funksionon. "Kjo
do të bënte që të mos transmetohej
e gjithë kriza te publiku, por
një pjesë të mirë të saj ta mbanin
edhe vetë bizneset. Ata që janë të
aftë do të mbijetojnë, ndërsa të
tjerët duhet të dalin nga tregu",
thotë Angjeli.
Kompensim
Por ish-ministri i Ekonomisë ka
deklaruar se në rast se çmimi i
bukës në treg do të rritet ashtu
sikurse paralajmërohet atëherë,
qeveria duhet të konsiderojë edhe
kompensimin me para në dorë për
shtresat e varfra të popullsisë. Në
fakt, skemat e kompensimit në
Shqipëri kanë pasur shumë probleme.
Një rast konkret është skema
e kompensimit për rritjen e
çmimit të energjisë, ku qeveria nuk
arriti të shpërndante as 50 për
qind të fondit vjetor të paracaktuar,
gjë që u pranua dhe nga vetë
Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›