E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni i Ohrit në 7 mrekullitë e botës

Autori i Lajmit: red.
Liqeni i Ohrit së shpejti mund të futet në shtatë mrekullitë e botës natyrore. Ky lajm konfirmohet nga faqja zyrtare e internetit të këtij evenimenti, e cila ka publikuar listën e kandidaturave nga e gjithë bota. Ky liqen është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë. I njohur si një nga më të bukurit në Evropë, ai është shpallur që në vitin 1980 nga UNESKO monument kulture dhe ruhet prej saj. Ai gjendet në një lartësi mbidetare prej 695 metrash dhe ka një sipërfaqe prej 349 km². Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoni si dhe Pogradeci në Shqipëri. Për sa u përket liqeneve që marrin pjesë për Evropën ata janë tetë, dhe u përkasin shteteve: Austri, Slloveni, Finlandë, Britani, Sllovaki, Kroaci dhe Bullgari. Ndër këto tetë shtete kandidues, deri tani Liqeni i Ohrit renditet i pari me 300 vota, ndërkohë që votimet do të zgjasin deri më 31 dhjetor. Mundësia që Liqeni i Ohrit të renditet në mrekullitë e botës duhet të klasifikohet në 77 pozicionet e para të listës botërore me qindra kandidime të tjera. Liqeni që ka marrë më pak vota deri tani është ai i Britanisë, ndërsa më pranë liqenit të Ohrit është liqeni kandidues për Austrinë. Maqedonia kandidon edhe me dy bukuri natyrore të tjera që janë Sytë e Pelisterit dhe shpellat Vrello afër Matkës, ndërsa vendi ynë duket se nuk merr pjesë me ndonjë mrekulli natyrore tjetër, edhe pse ka shumë të tilla. Mjafton të përmendim vetëm “Syrin e Kaltër”, një vend që e ka zili çdo shtet, jo vetëm për bukurinë e veçantë, por edhe për tërheqjen e turistëve.

shtetet pikët
Shqipëria/Maqedonia 300
Austria 257
Sllovenia 234
Finlanda 224
Britania 72
Kroacia 242
Bullgaria 244
Sllovakia 241

3 milionë vjet i vjetër
Liqeni i Ohrit është i vjetër rreth tre milionë vjet, ndërsa në të ekzistojnë tri çrregullime të mëdha tektonike, të cilat ende janë aktive. Këtë e treguan hulumtimet e para që janë kryer në mënyrë periodike gjatë katër viteve të fundit nga Instituti Hidrobiologjik i Ohrit dhe Instituti Gjerman për Gjeologji dhe Mineralogji i Këlnit. Në kuadër të hulumtimit janë marrë disa ekzemplarë nga sedimenti i fundit të Liqenit të Ohrit në të gjitha thellësitë, ndërsa analizat e mëtejshme duhet të japin përgjigje për endeminë e madhe të botës së gjallë, e cila sipas shkencëtarëve ka të bëjë me vjetërsinë e Liqenit të Ohrit dhe izolimin e tij. Deri tani detajisht janë hulumtuar disa pjesë të sedimentit që përfshijnë periudhën prej 50.000 viteve, në të cilat janë përcaktuar periudha të ndikimeve intensive antropogjene dhe erozioneve vullkanike. Sipas Bernd Vagner nga Instituti i Këlnit, hulumtimet e mëtejshme të sedimentit do të zbulojnë historinë e plotë të Liqenit të Ohrit, për çka nevojitet që hulumtimet të vazhdojnë edhe gjatë dekadës së ardhshme. Hulumtimet duhet të vazhdojnë në vitin 2009 dhe do të kushtojnë rreth katër milionë euro. Mbi 60 për qind të mjeteve do t`i sigurojë Instituti i Këlnit përmes Koorporatës Internacionale për Hulumtim. Qeveria e Maqedonisë në projektin në fjalë pritet që të marrë pjesë duke dhënë një fond 100.000 euro.

Furnizimi me ujë

Liqeni i Ohrit nuk ka një burim të veçantë. Ai furnizohet me ujë nga burimet e shumta përreth. Një nga burimet më të mëdha gjendet pranë kufirit shqiptaro-maqedon pranë Manastirit të Shën Naumit në Maqedoni. Aty buron uji që vjen nga Liqeni i Prespës, niveli i të cilit është 200 metra më i lartë se ai i Liqenit të Ohrit. Në anën e Shqipërisë gjendet gjithashtu një burim i madh në parkun e Drilonit pranë fshatit Tushemisht. Uji largohet nga liqeni në drejtim të Veriut nëpërmjet të lumit Drin i Zi, i cili rrjedh përmes qytetit të Strugës.

Krijimi

Liqeni i Ohrit llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në mbarë botën. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri më 5 milionë vjet. Liqeni u krijua nga një shembje e tokës. Këtë e vërtetojnë aktivitetet e shumta tektonike si dhe ekzistenca e një mali prej 100 metrash nën nivelin e liqenit.

Flora dhe fauna

Liqeni i Ohrit është shtëpia e shumë kafshëve endemike, të cilat vijnë vetëm në ujërat e tij. Në liqen rriten 40 specie të rralla, ndër më të njohurat dhe ekonomikisht më të rëndësishmet është peshku i pastër i llojit Salmo letnica, (Korani), "Salmothimus ohridanus",(Belushka). Një pjesë e Bregut të liqenit, së bashku me qytetin e Ohrit është emëruar nga UNESCO si trashëgimi botërore.
Ky lloj peshku, popullon këto ujëra dhe që, po t i llogaritësh në sipërfaqen prej 3630 hektarë sipërfaqe ujore, bëjnë me mijëra e mijëra tonelata peshk, prodhimi vjetor.

Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›