"Pekin 2008", Asafa Pauëll gati të sfidojë dopingun
Asafa Pauëll, atleti që mban rekordin e botës në 100 metra, deklaroi se është i bindur që në Lojërat Olimpike të këtij viti do të garojë kundër sprintierëve që përdorin substanca të ndaluara. Njeriu më i shpejtë në botë është shfaqur skeptik përballë fjalëve të ish-kreut të Agjencisë Botërore Anti-Doping (ËADA), Dik Paund, i cili mendon se "kjo do të jetë olimpiada më e pastër në histori". Gjithsesi, xhamajkani ka refuzuar të citojë emrat e rivalëve që dyshon se përdorin doping, por ka hedhur idenë se kushdo që rezulton pozitiv duhet të dënohet përjetë. "Kam shumë dyshime, por preferoj t‘i mbaj ato për vete", tha Pauëll për edicionin e së dielës të gazetës australiane, "Herald Sun". "Ajo reja e zezë mbi atletikën ka për të qëndruar gjithmonë, pasi njerëzit pyesin se cilët janë ata që përdorin doping. Ky është një sport shumë i padrejtë. Gjithsesi, një prej kënaqësive të mia më të mëdha është të mposht ata kundërshtarë, tek të cilët dyshoj se marrin simulantë. Mendoj se atletët që përdorin substanca të ndaluara duhet të dënohen: ata bëjnë një veprim që nuk është brenda rregullave dhe çdo veprim i tillë duhet ndëshkuar. Për këtë arsye jam pro përjashtimit për jetë nga aktivitetet".
Qendra e anti-dopingut në Pekin, e cila është mes 33 qendrave botërore të aprovuara nga ËADA, do të zhvillojë teste te më shumë se gjysma e 11 mijë atletëve që do të marrin pjesë në Olimpiadën 2008. Sipas shifrave, pritet që në çdo ditë të zhvillohen mesatarisht 230-240 teste: kjo shifër është 25 për qind më e madhe se në Olimpiadën e Athinës dhe pothuajse sa dyfishi i kontrolleve që janë bërë në Sidnei 2000. Aktualisht Pauëll po rikuperohet nga një dëmtim në gju, por të enjten ai synon të marrë pjesë në garën e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) në Melburn. Në vitin 2006, në këtë qytet 25-vjeçari ka fituar medaljen e artë, dhe në garën e javës së ardhshme ai synon të rikonfirmohet pas dështimit të vitit të kaluar në kampionatin botëror të Osakas, ku është mposhtur nga rivali direkt, Tajson Gei. "Duhej të jem i përqendruar dhe mos të përsëris gabimet", tha Pauëll. "Kur gabon, ka gjithmonë një tjetër atlet që është i gatshëm të të mposhtë. Ndjehem gati të regjistroj kohën time më të shpejtë dhe ndjehem më i fortë sesa isha gjatë vitit të kaluar".