E Diel, 1 Nëntor 2026

Spaho: Ulja e çmimit të bukës, jo me ulje taksash

Nuk është gjë tjetër vetëm spekulim i tregtarëve të vegjël,
të cilët përfitojnë nga një rritje e lehtë e çmimit të lëndës
së parë në bursa. Sipas kryetarit të Komisionit për Ekonominë
dhe Financat, Edmond Spaho, qeveria duhet të ndërhyjë
nëse vëren shtrembërim të tregut, pa iu shmangur detyrimit
që ka ndaj konsumatorëve me rritje paga dhe pensioni.
Sa reale ju duket rritja e çmimit të bukës në vend dhe si mund
të ndërhyjë qeveria për ta frenuar?
Në Shqipëri ndodh shpesh që të rriten çmimet e mallrave,
kur në tregjet ndërkombëtare ka vetëm tendencë rritjeje.
Kështu ka ndodhur me karburantet, importin e hekurit, çimentos
e mallra të tjera. Më pas kur çmimet bien në tregjet
ndërkombëtare, te ne nuk vihet re zbritje ose ajo është e papërfillshme.
Në rastin e çmimit të bukës më duhet të them se
para disa muajsh, Shoqata e Prodhuesve të Bukës në Fier
mori vendim për të rritur çmimin e bukës. Autoriteti i Konkurrencës
e hetoi këtë veprim dhe konkludoi që marrëveshja
ishte kartel me elementë të dukshëm të konkurrencës së pandershme
në treg. Për këtë arsye anëtarët e shoqatës u gjobitën
me paralajmërimin se rritja e çmimit të bukës do të shoqërohej
me gjoba të tjera. Mendoj se shteti është i detyruar të
ndërhyjë në çdo rast që tregu deformohet. Pavarësisht
dëshirës që kemi për të ndërtuar një ekonomi tregu sa më
funksionale, në vendin tonë ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen
tentativa për ta deformuar dhe monopolizuar atë në
fusha të ndryshme. Këtyre tendencave në çdo rast duhet t‘u
përgjigjemi me mekanizmat që jep ligji. Por kjo nuk përjashton
detyrimin e shtetit që të bëjë indeksimin e pagave dhe
pensioneve në rastet kur rritjet e çmimeve janë rrjedhojë e
faktorëve të natyrshëm ekonomikë apo kur vinë nga influenca
të tregjeve ndërkombëtare.
Po kërkesa për ulje taksash?
Propozimet për ulje taksash që të mos ngrihen çmimet
mendoj se nuk funksionojnë te ne. Sikurse ka ndodhur në të
shkuarën, uljet e taksave nuk kanë rezultuar në ulje çmimesh
dhe përfitim për qytetarin, por vetëm në rritjen e fitimeve të
prodhuesve dhe importuesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›