Rriten masat e sigurisë në gjykatë
Masa të reja për të rritur sigurinë në ambientet e brendshme të institucionit janë vënë në zbatim dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Prej dy javësh në këtë gjykatë kishte nisur puna për ndryshimin e hyrjes kryesore të saj, për t‘ia përshtatur atë një modeli të ri, ku do të vendoseshin edhe pajisje të reja kontrolli. Dje, qytetarët që i janë drejtuar gjykatës janë përballur me rregullat e reja të hyrjes në institucion. Në kalimin kryesor që shërbente për hyrjen e qytetarëve ishin vendosur dy pajisje moderne metalzbuluese, nga ku ishte i detyruar kalimi i të gjithë personave të jashtëm që hynin në gjykatë. Sipas punonjësve të policisë, që janë pjesë e shërbimit të brendshëm të gjykatës, pajisjet e vendosura janë moderne dhe efikase. Ato tregojnë nivelin e pajisjeve metalike që mund të ketë në trup apo në çantë çdo person që hyn në gjykatë, duke eliminuar në këtë mënyrë procedurën e kontrollin trupor, që ekzekutohej deri tani përpara se të hyje në ambientet e brendshme të institucionit. Pajisjet kanë një kategorizim tingulli dhe ndriçimi në rast se në trupin e personit që kontrollohet ka pajisje metalike apo armë të ndryshme. Në rastin e këtyre të fundit, pajisjet lëshojnë një tingull të lartë dhe të vazhdueshëm, si dhe ndezin të gjitha dritat që kanë të vendosura. Përballë me hyrjen kryesore të gjykatës, sistemit të kamerave vëzhguese që funksionojnë prej kohësh në ambientet e gjykatës, i është shtuar edhe një kamera tjetër. Ajo regjistron pa ndërprerje të gjitha lëvizjet në korridorin që nga hyrja kryesore e deri në ndarjen e kateve, duke shtuar dhe forcuar kështu kontrollin për personat që hyjnë në gjykatë.
Qytetarët e kanë pasur disi të vështirë të orientohen me sistemin e ri të hyrjes në gjykatë, ndërsa punonjësit e shërbimit kanë qenë gjithë kohën duke i drejtuar ata se nga duhej të kalonin për të hyrë dhe për të dalë. Ndërkaq, në njërin krah të hyrjes kryesore ishte krijuar një hyrje tjetër e veçantë, që do të shërbente për punonjësit e gjykatës dhe në krahun tjetër ishte vendosur porta nga mund të dilnin qytetarët. Sipas zëdhënëses së Gjykatës së Tiranës, të gjitha këto ndryshime janë në kuadër të masave për forcimin e sigurisë, veçanërisht pas disa ngjarjeve të rënda që janë verifikuar pak kohë më parë nëpër gjykatat e disa rretheve. Ajo tha për "Shqip" se investimi për këto ndryshime është bërë nga fondi i investimeve që akordohen për Gjykatën e Tiranës nga buxheti i shtetit.
Kartat elektronike
Ndryshimi i sistemit të hyrjes së Gjykatës së Tiranës do të vejë nën kontroll edhe hyrje-daljet e punonjësve të saj. Porta e rezervuar për hyrjen e gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të gjykatës është pajisur me karta elektronike, të cilat do të shënojnë të gjitha hyrje-daljet në ambientet e institucionit, si dhe oraret përkatëse. Kjo do të bëjë që tashmë drejtuesit e gjykatës të kenë një kontroll më të madh lidhur me lëvizjet që bëjnë punonjësit gjatë orarit të punës. Pak kohë më parë Ministria e Drejtësisë dërgoi një grup pune për të kontrolluar lëvizjet e gjykatësve gjatë orarit të punës, por deri tani asnjë raport zyrtar nuk është publikuar lidhur me këtë kontroll.