Meta: Qeveria të rishikojë ligjin e gjobave për biznesin
Komisioni i Integrimit ka diskutuar dje mbi shqetësimet dhe vërejtjet e bëra në Progres-Raportin e Komisionit Europian për vitin e kaluar, si dhe për hartimin e një programi pune në kuadër të procesit të Stabilizim -Asociimit dhe integrimit të vendit. Për të raportuar lidhur me masat që po merren në këtë drejtim, në komision ishte e pranishme Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Duke falënderuar Ministren e Integrimit Kryetari i Komisionit të Integrimit Meta është shprehur se, ky takim ishte i dobishëm për të programuar një axhendë më konkrete dhe më aktive të Komisionit Integrimit Europian, por edhe të vetë parlamentit lidhur me programin e punës për t‘ju përgjigjur të gjitha shqetësimeve dhe vërejtjeve të bëra në Progres-Raportin e Komisionit Europian për vitin e kaluar. Në këtë drejtim Meta tha se këto shqetësime do të jenë prioritetet kryesore jo vetëm të Qeverisë, por edhe të parlamentit dhe të gjithë institucioneve shqiptare në mënyrë që të kemi një progres më substancial të të gjithë procesit të Stabilizim - Asocimit dhe integrimit europian të vendit në përgjithësi. Më tej Meta u shpreh për krijimin e një klime të favorshme për biznesin vendas dhe atë të huaj në vendin tonë. Duke u ndalur më gjerë në këtë çështje, Meta përmendi një nga shqetësimet kryesore të Progres-Raportit lidhur me ligjin "Për parapagimin e gjobave", që sipas këtij raporti është një ligj që nuk është në përputhje me praktikën evropiane. Nga ana e saj, ministrja e Integrimit, Bregu ka vlerësuar punën e bërë nga Komisioni i Integrimit, si dhe kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë në sfidat e ardhshme të vendit në kuadër të integrimit europian. Duke folur për afatin kohor të përfundimit të ratifikimit të MSA-së me vendet e tjera të BE-së, Bregu u shpreh se, Ministria e Integrimit dhe ministritë e linjës kanë parashikuar se procesi i ratifikimit të MSA-së me 10 vendet e tjera të BE-së të mbyllet brenda Qershorit të këtij viti. Më tej Ministra Bregu ka deklaruar se ka vështrirësi në kuptimin e detyrimeve që ministritë duhet të realizojnë, në kuadër të integrimit në BE.