E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi si Moisiu, dekreton Tushën në Kushtetuese

Vitore Tusha pritet qe të jetë anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpalli dje dekretin në mbështetje të nenit 125, pika 1 e Kushtetutës. Tusha nuk është një emër i panjohur për politikën shqiptare, pasi ëndrra e saj për t‘u zgjedhur në këtë detyrë ka filluar që në vitin 2004. Presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu, përzgjodhi këtë kandidaturë si zëvendësuesen e Zija Vucit, që i mbaronte mandati. Partia Socialiste, në atë kohë në pushtet, kundërshtoi fort dekretin e kreut të shtetit, duke deklaruar votën kundër. Arsyeja e këtij kundërshtimi kishte të bënte me faktin se Tusha bënte pjesë në trupin gjykues që rrëzoi përpjekjet e ish-gjykatësit Zef Brozi për lirimin nga burgu të kryetarit të opozitës Fatos Nano, në vitin 1995. Në korrik të vitit 1995, kryetari i Gjykatës së Kasacionit e çoi çështjen e dënimit të Fatos Nanos në rekurs "në interes të ligjit". Ky veprim synonte që t‘i jepte pafajësinë Nanos në atë kohë dhe të bënte të mundur lirimin e tij nga burgu ku qëndronte prej një periudhe kohe që nga përfundimi i gjyqit për çështjen e "Levante & Co". Vendimi i dhënë prej tyre ishte që kjo kërkesë e bërë nga Zef Brozi të shtyhej për t‘u diskutuar disa muaj më vonë, në shtator. Shtyrja për më vonë e diskutimit dhe vendimit për kërkesën e bërë nga Zef Brozi i dha kohë atyre që nuk donin të linin Nanon nga burgu të përgatisnin kundërpërgjigjen. Me vendimin numër 138, datë 15.7.2004, Kuvendi vendosi "mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zonjës Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vend të zotit Zija Vuci". Pas këtij vendimi, Moisiu u detyrua të tërhiqej, duke sjellë një emër tjetwr, që të siguronte mbështetjen e shumicës. Tanimë, edhe Presidenti i ri, Bamir Topi, kwmbwngul tek emri i Tushës, ndërsa mazhoranca e djeshme është në opozitë. Me propozimin e Tushës për anëtare të Kushtetueses duket se ka filluar ftohja mes Nanos dhe Topit. Sakaq, mbetet në pikëpyetje qëndrimi i grupit parlamentar socialist ndaj kandidaturës që refuzuan tre gati katër vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›