Miniera e vdekjes, kromi shuan minatorin e shtatë
Përsëri vdekje në Minierën e Kromit në Bulqizë. Rreth 15 tonë mineral shtypin një minator në thellësinë 800 metra nën tokë.
Viktima e radhës është 50-vjeçari Njazi Alliu, nga fshati Fushë-Bulqizë i komunës me të njëjtin emër. Alliu kishte mbi 15 vite që punonte në minierë. Përmasat e kësaj ngjarjeje tragjike, ku humbi jetën 50-vjeçari Njazi Alliu, rriten së tepërmi edhe për faktin se për familjen Alliu kjo është viktima e dytë e rënë në minierë, pasi në vjeshtën e vitit 2006 u vra në të edhe vëllai i tij, Besnik Alliu, që shënoi edhe hapjen e serisë së vdekjeve të tjera që pasuan nga puna në këtë minierë.
Kështu, në rreth 16 muaj ky është aksidenti i shtatë me vdekje në minierën e kromit dhe aksidenti i parë për këtë vit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në nivelin e 16-të, të pusit numër 2, të kësaj miniere, rreth 800 metra thellë nën tokë, ku Njazi Alliu punonte për nxjerrjen e mineralit të kromit.
Shokët e punës thanë se aksidenti ndodhi kur minatori 50-vjeçar po mundohej të zhbllokonte një furnel, në mënyrë që minerali i grumbulluar nga plasjet të mund të rrëzohej poshtë në trimonzhën e shkarkimit, ku mbusheshin vagonët. Por teksa me një levë hekuri lëvizte gurët për të siguruar rënien e lirë të tyre, një bllok i madh minerali ka rrëshqitur duke e marrë përpara minatorin. Ai ka përfunduar 16 metra poshtë, në trimonzhën e shkarkimit, i mbuluar nga rreth 15 tonë mineral.
Bajram Duka, një nga minatorët që punonte me Njaziun tregon: "Menjëherë vrapuam duke pastruar mineralin dhe sterilin e rënë mbi trupin e tij. Kemi larguar jo pak, por afro 7 vagonë me material, për të nxjerrë trupin e pajetë dhe të coptuar të Njaziut". Trupi i pajetë i minatorit është dërguar drejt e në morgun e spitalit të qytetit të Bulqizës, ku edhe është bërë ekspertiza nga ekipi mjekoligjor.
Një tjetër minator që punonte me viktimën, Ismail Kola, pohon për "Shqip" se "i vrari është nxjerrë nga mbulimi me gurë, pa asnjë shenjë jete, pasi kishte dëmtime serioze në pjesën e kokës, e cila pothuajse ishte shtypur tërësisht, nga masa e madhe e materialit që e kishte zënë poshtë atë, që shkonte në rreth 15 tonë".
Ende është herët për të folur për shkakun e vërtetë të kësaj ngjarjeje vërtet tragjike dhe nxjerrjen e përgjegjësisë për të. Pasi do të jetë grupi i ekspertëve i ngritur për këtë qëllim, që do të zbardhë shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë. Por si në asnjë rast tjetër të kësaj natyre, menjëherë pas aksidentit, është prononcuar për "Shqip" drejtori i minierës së Bulqizës, Petrit Duva, i cili ka sqaruar zyrtarisht se i ndjeri ka punuar në këtë front pune ku dhe gjeti vdekjen, pa urdhër pune nga personeli inxhiniero-teknik i minierës, gjë që do të thotë se humbja e jetës së tij nuk ka ardhur nga mungesa e kushteve të sigurimit teknik, të punës në këtë minierë. Drejtori i minierës ka sqaruar se pas ndërprerjes së punës, sipas marrëveshjes së arritur edhe me sindikatën e minatorëve, është punuar dhe investuar nga firma e huaj, për sigurimin e kushteve teknike. "Ka qenë pikërisht plotësimi i këtyre kushteve që ka çuar në lëshimin e urdhrit nga ministri Ruli, për rifillimin e punës në minierë", tha drejtori Duva.
Ndërsa kreu i sindikatës së minierës, Dilaver Përkoxha, tha se Njazi Alliu ishte duke punuar aty ku i takonte. Megjithatë, edhe kreu i sindikatës është treguar i rezervuar në përcaktimin e përgjegjësive për aksidentin e rëndë. "Ai front ku punonte Njazi Alliu nuk ishte i mbyllur. Ai ka qenë duke kryer një proces normal pune dhe ajo që ndodhi është një fatkeqësi", tha Dilaver Përkoxha.
Deri më sot, hetimet nuk kanë nxjerrë asnjë person përgjegjës për humbjet e jetëve në minierën e Bulqizës, përveç vetë viktimave. Ky është rasti i parë kur minatorët nuk drejtojnë gishtin nga drejtuesit e minierës për përgjegjësinë, por gjithsesi, miniera vazhdon të vrasë minatorë dhe ata e ndiejnë se me këtë ritëm aksidentesh janë të gjithë të rrezikuar.
Aksidentet
Shtatë të vdekur në 16 muaj
Në 60 vitet e ekzistencës së saj në minierën e Kromit në Bulqizë, mendohet të kenë humbur jetën më shumë se 250 minatorë. Nëse i shohim shifrat ftohtë, numri mesatar i vdekjeve në një vit duhet të jetë 4. Por në të vërtetë nuk ka qenë kështu. Vitet e para të punës kanë shënuar numër të madh viktimash, ndërsa vit pas viti, me përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e investimeve nga shteti, numri i aksidenteve ra ndjeshëm. Edhe pas marrjes me koncesion nga kompania italiane "DARFO", miniera nuk ishte një vend i pasigurt për minatorët, deri në tetor të vitit 2006. Në këtë muaj, shkëputja nga tavani i galerisë i një masivi kromi vrau minatorin Besnik Alliu nga Fushë-Bulqiza. Disa muaj më pas, minatorët nisën të ngrinin krye, duke kërkuar paga më të larta dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë. Deri në qershor të vitit 2007, ata përmendnin vdekjen e Besnik Alliut për të përligjur kërkesat e tyre. Por në qershor, kur protestat arritën kulmin me nisjen e një greve të përgjithshme, dy minatorë të tjerë, Avni Duriçi dhe Hysen Lezi, gjetën vdekjen në thellësitë e nëntokës, nga një shpërthim i pakontrolluar i minave. Një muaj e gjysmë më vonë, më 10 gusht 2007, një shembje në galeri i mori jetën Zaim Hysës, i cili sapo ishte zgjedhur sekretar i sindikatës së re të minierës. Në fund të gushtit, një tjetër shembje vrau minatorin Mehdi Jani, baba i pesë fëmijëve. Pas vdekjes së këtij të fundit, qeveria ndërhyri dhe urdhëroi mbylljen e minierës, deri në plotësimin e kushteve të sigurimit teknik. Investimet nisën të bëheshin, por pikërisht një nga njerëzit që punonte për vendosjen e armaturave mbrojtëse, Sami Doga, gjeti vdekjen i shtypur nga një masiv dheu në muajin dhjetor 2007. Viti 2008 u duk se nisi më i mbarë për minatorët e Bulqizës, të cilët arritën më në fund të nënshkruanin kontratat e punës. Por dje kromi mbuloi një tjetër minator, Njazi Alliun, vëllain e viktimës së parë të kësaj serie vdekjesh. Në kohën e protestave të qershorit, i ndjeri Zaim Hysa thoshte: "Mos e paçi fatin të hyni në atë minierë", ndërsa na sqaronte se teknologjia e punës ishte si në kohën e Italisë. Sot, me shtatë vdekje në 16 muaj, edhe numri mesatar i aksidenteve është i krahasueshëm me vitet ‘30-‘40 të shekullit të shkuar.
VIKTIMAT
TETOR 2006
Besnik Alliu
QERSHOR 2007
Avni Duriçi
Hysen Lezi
GUSHT 2007
Zaim Hysa
GUSHT 2007
Mehdi Jani
DHJETOR 2007
Sami Doga
SHKURT 2008
Njazi Alliu
Reagimet
Rama: Shpella e vdekjes mori një tjetër jetë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një debati për mirëqeverisjen vendore ku merrte pjesë dje, ndërhyri për të ndarë dhimbjen për humbjen e jetës së minatorit Njazi Jalliu, si dhe solidaritetin me të gjithë minatorët që punojnë në mbarë vendin në kushte primitive: "Përpara 30 minutash, në Bulqizë, ka vdekur një minator tjetër, pasi është shembur galeria. Shpella e vdekjes vazhdon në mënyrë sistematike të marrë jetë njerëzish, të lërë fëmijë jetim, të lërë nëna të veja, sigurisht, pa asnjë mbështetje tjetër serioze financiare dhe pa asnjë garanci për të ardhmen e fëmijëve", tha Rama. Ai u shpreh më tej se "është e paperceptueshme që komunitetet që jetojnë aty ku gjenden këto pasuri, me të cilat bëhet biznes shumëfitimprurës, të mos kenë asnjë të drejtë mbi ato pasuri. Përveçse të jenë të shndërruar në një komunitet skllevërish, burra që ndahen çdo ditë në mëngjes me fëmijët e tyre, me idenë se nuk do të kthehen më dhe një komunitet skllavesh gra, të cilat presin me dorë në zemër nga dera nëse do të vijë apo jo babai i tre, katër, pesë apo gjashtë fëmijëve. Me rrogën mjerane të kësaj pune, hipur në shpinën e vdekjes, mbahet gjallë fryma e mijëra e mijëra fëmijëve të Bulqizës dhe e dhjetëra fëmijëve kudo ku ka miniera të tjera në vend, por që për Sali Berishën dhe qeverinë e Sali Berishës është një shprehje gjeografike dhe nuk është një realitet ku jetojnë njerëz".
LSI
Edmond Panariti:
Në radhë të parë, në emër të LSI, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së minatorit Njazi Alliu. Ky është i teti minator që humb jetën si rrjedhojë e kushteve të pasigurta të punës, duke e shndërruar këtë në një fenomen që rrezikon të përsëritet edhe në të ardhme. Ne i kërkojmë qeverisë të tregohet e përgjegjshme dhe të marrë masa të menjëhershme për të ndalur kalvarin e viktimave në minierat shqiptare.