Në 3 muaj, 2850 biznese të reja
Brenda 3 muajve, numri i bizneseve të reja në vend është shtuar me rreth 2850. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit (QKR), Tomi Kola, në një konferencë për median, tha se "procesi i regjistrimit të bizneseve brenda një ditë të vetme sipas modelit "One stop shop", ka ecur me sukses. "Me aktivitetin që QKR-ja ka bërë në 3 muaj në regjistrimin e biznesit në një ditë dhe me një pagesë vetëm 100 lekë, ka arritur t‘i shërbejë mijëra klientëve", - tha Kola. Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) ka hapur aktivitetin e saj deri më tani në 7 bashkitë kryesore me 21 sportele regjistrimi, në bashkitë e qyteteve Elbasan, Tiranë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Fier dhe Korçë. "Brenda këtij muaji, do të çelet edhe Qendra e Regjistrimit të Biznesit pranë Bashkisë së Kukësit", tha Kola. Në tre muajt e saj të parë të punës, veç regjistrimeve janë kryer 778 ndryshime të statusit të biznesit, si dhe janë lëshuar 4.879 ekstrakte (vërtetime) për biznese të ndryshme, të cilat aplikojnë për tenderë të ndryshëm publikë. "Fluksi i punës është përballuar me rritjen e kapacitetit të shërbimeve, i cili në fund të muajit nëntor u rrit rreth 5 herë, krahasuar me fillimin e punës në muajin shtator", tha ai. Të gjitha aplikimet e plotësuara në mënyrën e duhur për regjistrimet e reja, të cilat dorëzohen në çdonjërin nga sportelet e shërbimit të QKR-së, miratohen në një ditë. Regjistrimi në QKR-ja u jep mundësinë bizneseve të regjistrohen njëkohësisht në autoritetet tatimore në nivel kombëtar e bashkiak, si dhe të kryejnë regjistrimin për sigurimet shoqërore e shëndetësore, regjistrimin pranë Inspektoratit të Punës dhe regjistrimin në bashki.