E Diel, 1 Nëntor 2026

Moxhi: Mançini do të drejtojë larg Serisë A

Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, ka folur rreth largimit të mundshëm të Mançinit nga Interi. Për radio "Marte", i akuzuari kryesor për skandalin "Calciopoli", tha: "E dija se Mançini do të largohej nga Interi, por nuk mendoja se anonçimin do ta bënte menjëherë pas ndeshjes me Liverpulin. Nuk kisha dyshime se do të largohej; ai nuk ndihet mirë mes grupit të futbollistëve që ka Interi: sipas gjasave, disa prej tyre nuk e shohin me sy të mirë trajnerin, madje Mançini mund të ketë pasur edhe probleme me presidentin Morati. Shpeshherë tekniku i ka marrë të gjitha meritat për vete, kjo e ka lënë disi në hije imazhin e Moratit. Gjithsesi, këto janë vlerësime të miat. Problemet e vërteta ishin në dhomat e zhveshjes. Të gjitha këto sollën deklaratën për largim në fund të sezonit menjëherë pas eliminimit nga Liga e Kampioneve. Mançini do të kishte vepruar më mirë nëse anonçimin për dorëheqje do ta bënte pas disa javësh, edhe sepse Interi është akoma në garë për titullin. E ardhmja e tij? Nuk e di, por me siguri jashtë Italisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›