Murataj-Alibeaj, përplasje në seancën e pajtimit
Një situatë e tensionuar ka mbizotëruar dje gjatë seancës së pajtimit në procesin ku juristja Rudina Murataj ka paditur ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe drejtoreshën e Shkollës së Magjistraturës, Adriana Fullani. Megjithëse gjyqtari i çështjes u ka bërë të qartë palëve se seanca kishte si synim përpjekjen për të arritur një pajtim midis palëve, replikat midis avokatit mbrojtës të të akuzuarve dhe paditëses nuk kanë munguar. Avokati Vangjel Kosta, i cili mbron të dy të akuzuarit, që në fillim të seancës ka paraqitur disa pretendime lidhur me anën procedurale të formulimit të padisë. Gjithashtu ai ka sjellë në vëmendje të gjykatës se zoti Alibeaj, duke qenë anëtar i Këshillit të Ministrave, nuk mund të gjykohet nga kjo gjykatë. Mbrojtësi ligjor i ministrit të Drejtësisë kërkoi që padia t‘i rikthehej për plotësime Rudina Muratajt.
Juristja nga Gjirokastra ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se padia e saj ishte formuluar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit. Ajo madje ka konfirmuar se edhe ndryshimet e kërkuara nga gjykatësi i çështjes në seancën e kaluar, tashmë janë rregulluar dhe në këtë mënyrë padia nuk kishte asnjë mospërputhje ligjore. Në të njëjtën kohë ajo ka deklaruar se e ka ngritur padinë në një periudhë kur zoti Alibeaj nuk ka qenë ministër i Drejtësisë. Në këto kushte ajo ka deklaruar se ishte në të drejtën e Gjykatës së Tiranës që ta ndante çështjen duke ia përcjellë padinë ndaj Alibeajt për kompetencë Gjykatës së Lartë, si dhe duke vazhduar gjykimin për zonjën Fullani. Replikat e tensionuara midis juristes dhe avokatit të të paditurve kanë detyruar gjykatësin që të ndërhyjë duke kërkuar qetësimin e debatit. Ai ka kërkuar nga paditësja që të shprehej lidhur me mundësinë e pajtimit dhe kjo e fundit është shprehur kategorikisht kundër kësaj mundësie. Murataj ka deklaruar se dëshironte të vazhdonte procedimin e çështjes. Në këto kushte gjyqtari ka vendosur që të kalojë në seancën tjetër, që mund të konsiderohet zyrtarisht seanca e hapjes së procesit. Të dyja palët do të paraqesin në këtë seancë, që u caktua të zhvillohet në mesin e muajit janar, kërkesat e tyre si dhe listën e dëshmitarëve që do të pyeten në proces.