E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ngjarje që ndoshta pakkush e beson, por ja që është e vërtetë

 

Në qytetin e Librazhdit, përjashto qendrën e qytetit dhe një rrugë tjetër fare të vogël, pjesa më e madhe e hapësirës (rrugëve) është tërë gropa e në rastin më të keq e paasfaltuar fare. Më e përbuzur në këtë aspekt është lagjja Stacioni i Trenit.

Një lagje e ndërtuar me banorë të ardhur nga fshatrat përreth, mbas ‘90-ës. Rruga që të çon aty është gjatë gjithë kohës me baltë, gropa të mbushura me ujë dhe plehra gjithandej. Deri këtu shumë nga ju do thonë se s’ka asgjë të habitshme, pasi shumica e qyteteve shqiptare ashtu i kanë rrugët në përgjithësi. Por çudia ka të bëjë me një fakt tjetër.

Para një muaji, qarkulluan fjalë së kryeministri Berisha, gjatë turit të tij “Shqipëria në NATO”, do të kalonte në këtë aks për të inauguruar përfundimin e një rruge të Komunës Qendër, Librazhd, (një rrugë e cila akoma s’ka përfunduar). Vizita e Kryeministrit do të bëhej pas tre apo katër ditësh. Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Librazhd, ndërmori një masë emergjente.

Shtatë apo tetë punëtorë të saj, pastruan ujin nga gropat, me sfungjerë dhe lopata (i kam parë me sytë e mi). Por Kryeministri e anuloi takimin e tij, ndaj, meqë kishin pak më shumë kohë, pushteti lokal ndërmori një masë të dytë. Të gjitha gropat, në kohë rekord u mbushën me asfalt të ri dhe rrugës iu hoq balta dhe plehrat.

Pyetja që ngrihet është mëse e thjeshtë: I dashur pushtet lokal, në Kushtetutë thuhet se jemi të gjithë të barabartë. E keni lexuar këtë klauzolë të Kushtetutës? Pse ne qytetarët e thjeshtë të Librazhdit duhet të lihemi të përbaltemi për tetëmbëdhjetë vite rresht e Kryeministrit nuk duhet t’i qëndrojë as makina tetëmbëdhjetë minuta aty?

Atje në atë post ju sollëm NE, dhe jo Perëndia a dikush tjetër, kështu që mësoni të na respektoni, sepse një ditë durimi do soset. Një lutje të fundit kam për ty i dashur Kryeministër: “Të lutem, vazhdo turin tënd në çdo anë të Shqipërisë, në mënyrë që edhe ne të përfitojmë ndonjë ditë të bardhë nga ditët e tua”!!!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›