E Diel, 1 Nëntor 2026

Uniteti Ndëratlantik për Rusinë

Kondoleza Rajs * 

Për pjesën më të madhe të muajit të kaluar, fokusi i botës është kthyer tek Rusia. Ne morëm sfidën urgjente fillestare për të mbështetur Gjeorgjinë pas sulmit rus – një sfidë që, për tani, ne po e përballojmë me sukses. Pyetja kryesore tek ecim përpara – të cilën e trajtova gjatë në një fjalim të enjten e kaluar – është, çfarë nënkuptojnë ngjarjet e muajit të kaluar për marrëdhënien e Rusisë me botën, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe Europën?         
Rrethanat përreth konfliktit të muajit të kaluar janë të mirënjohura. Gabime pati nga të dyja palët, por përgjigja e udhëheqësve të Rusisë – pushtimi i një vendi sovran nëpër një kufi të njohur ndërkombëtarisht, dhe pastaj përpjekja për ta shpërbërë atë duke njohur Abkhazinë dhe Osetinë Jugore – ishte e shpërpjesëtuar. Dhe përgjegjësia për këtë sjellje nuk qëndron tek fqinjët e Rusisë, as tek zgjerimi i NATO-s, as tek Shtetet e Bashkuara, por tek udhëheqësit e Rusisë.
Megjithatë, ndoshta edhe më shqetësuese, është që sulmi i Rusisë përshtatet me një model sjelljeje në përkeqësim gjatë disa vitesh – mes të tjerash, përdorimi prej saj i naftës dhe gazit si mjete për shtrëngim, kërcënimi i saj për të vënë në shënjestër vende paqësore me armë bërthamore, dhe kufizimi prej saj i ligjit dhe lirisë brenda vendit. Pamja që paraqitet është e një Rusie gjithnjë e më autoritare dhe agresive.
Sulmi kundër Gjeorgjisë na ka sjellë në një çast kritik – por jo një çast determinist. Udhëheqësit e Rusisë po bëjnë disa zgjedhje për të ardhur keq. Por mund të bëjnë edhe të tjera. E ardhmja e Rusisë është në duart e Rusisë. Por, zgjedhjet e saj do të formësohen, pjesërisht, nga veprimet e të tjerëve – sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë.
Pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia nuk ka arritur – dhe nuk do të arrijë – kurrfarë objektivi strategjik jetëgjatë. Dhe synimi ynë strategjik tani është t’ua bëjmë të qartë udhëheqësve të Rusisë, që zgjedhjet e tyre po vendosin Rusinë në një rrugë me një drejtim drejt izolimit dhe parëndësisë ndërkombëtare. 
Përmbushja e këtij synimi do të kërkojë vendosmërinë dhe unitetin e Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Nuk mund ta përballojmë t’u japim vlerë paragjykimeve që disa udhëheqës rusë duket se kanë: që nëse u bën presion vendeve të lira – t’i vësh përpara, t’i kërcënosh, e fshikullosh – ne do të përkulemi dhe në fund do tërhiqemi. Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet të qëndrojnë përpara kësaj lloj sjelljeje dhe të mos lejojnë që agresioni i Rusisë të arrijë ndonjë përfitim. 
Ne dhe aleatët tanë evropianë, për rrjedhojë, po veprojmë si një i vetëm në mbështetjen për Gjeorgjinë. Po udhëheqim përpjekjet e botës për të ndihmuar Gjeorgjinë që të rindërtojë. Dera për një të ardhme euro-atlantike mbetet plotësisht e hapur për Gjeorgjinë dhe aleanca jonë do të vazhdojë të punojë për ta bërë këtë të ardhme realitet.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Europa po mbështesin – pa ekuivok – sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të fqinjëve të Rusisë. Dhe ne nuk do ta lejojmë Rusinë të tundë veton para së ardhmes së bashkësisë sonë euroatlantike – as se cilave shtete u ofrojmë anëtarësim, as zgjedhjen e atyre vendeve për ta pranuar atë. Ne ua kemi bërë veçanërisht të qartë këtë miqve tanë në Ukrainë. 
Shtetet e Bashkuara dhe Europa po e thellojmë bashkëpunimin tonë për të siguruar pavarësi më të madhe për energjinë. Do të zgjerojmë dhe mbrojmë një ekonomi energjie globale të çliruar nga praktikat abuzive. Nuk mund të ketë një paketë rregullash për Rusinë, Inc. dhe një tjetër për gjithë të tjerët. 
Së fundi, Shtetet e Bashkuara dhe Europa nuk do t’i lejojnë udhëheqësit e Rusisë të bëjnë dy gjëra të kundërta – edhe të marrin përfitimet nga normat, tregjet dhe institucionet ndërkombëtare, ndërkohë që edhe sfidojnë pikërisht themelet e këtyre. Nuk ka rrugë të tretë. Një Rusi e shekullit të 19-të dhe një Rusi e shekullit të 21-të, nuk mund të bashkëpunojnë krah për krah në botë. Për të arritur potencialin e saj të plotë, Rusia duhet të integrohet plotësisht në rendin politik dhe ekonomik ndërkombëtar. Por Rusia është në pozitën e paqëndrueshme të të qenit gjysmë jashtë dhe gjysmë brenda. Rusia varet nga bota për suksesin e saj dhe këtë nuk mund ta ndryshojë. 
Tashmë, udhëheqësit e Rusisë po marrin një pamje fillestare se si mund të duket e ardhmja nëse këmbëngulin në sjelljen e tyre agresive. Ndryshe nga pozita e Gjeorgjisë, pozita ndërkombëtare e Rusisë aktualisht është më e keqe se sa në çdo kohë tjetër qysh nga viti 1991. Bashkëpunimi civil bërthamor me Shtetet e Bashkuara nuk po shkon gjëkundi tani. Udhëheqësit e Rusisë po imponojnë dhimbje mbi ekonominë e vendit. Kërkesa e tyre për t’u futur në Organizatën Botërore të Tregtisë tani është në rrezik. Po në rrezik është edhe kërkesa e tyre për të hyrë në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. 
Por, ndoshta, pasoja më e keqe e të gjithave për Moskën është që sjellja e saj, në themel, ka ngritur pikëpyetje se vizioni i kujt për të ardhmen e vendit e udhëheq vërtet Rusinë. Ishte një kohë së fundi kur presidenti i ri i Rusisë paraqiti një vizion pozitiv dhe që shihte përpara për të ardhmen e vendit të tij. Ky vizion merrte parasysh dobësitë e Rusisë, kërkonte reforma më të mëdha brenda vendit, dhe, ç’është më e rëndësishme, pranonte që Rusia nuk mund ta përballojë një marrëdhënie me botën të bazuar mbi antagonizëm dhe ftohje. 
Nevojshmërisht, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të ndjekin interesat tona të përbashkëta me Rusinë – përfshi luftën kundër terrorizmit, të ndalojmë Iranin që të mos sigurojë armë bërthamore, formësimi i një Lindjeje të Mesme të sigurt ku ka paqe mes palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe të parandalojmë që Këshilli i Sigurimit të mos i kthehet bllokimit si institucion që përjetoi gjatë Luftës së Ftohtë. Por, do të ishte turp nëse marrëdhënia jonë me Rusinë nuk do të ngrihej mbi nivelin e interesave – sepse marrëdhëniet më të mira janë mes atyre shteteve që ndajnë edhe synime, aspirata dhe vlera.
Nëse udhëheqësit e Rusisë do ta kapërcejnë nostalgjinë e tyre për një kohë tjetër dhe pajtohen me burimet e fuqisë dhe ushtrimin e fuqisë në shekullin 21, mbetet për t’u parë ende. Dhe ne shpresojmë që udhëheqësit e Rusisë do të bëjnë zgjedhje të përgjegjshme – për hir të popullit të tyre dhe për hir të botës. 
* Shkrimi i Sekretares së Shtetit
është përcjellë nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›