Obama: Nuk do ta lejojmë Moskën të kërcënojë Kosovën
Senatorët Hilari Klinton dhe Barak Obama, që garojnë brenda demokratëve amerikanë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit zhvilluan një debat televiziv. Të dy kandidatët denoncuan mënyrat plotësisht të tejdukshme të Vladimir Putinit për të qëndruar në pushtet edhe pas zgjedhjeve presidenciale të marsit. Obama kritikoi Presidentin aktual, Bush, për mënyrën e qasjes ndaj Rusisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet ndaj vendeve fqinje. Duke folur për Kosovën, Obama shtoi se do bashkëpunonte me bashkësinë ndërkombëtare në rast të çdo kërcënimi të Rusisë ndaj shtetit të ri të pavarur.
Ndërkaq, përfaqësuesi amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frenk Uizner ka deklaruar se as Amerika, e as Bashkimi Evropian nuk do ta anulojnë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai ka hedhur poshtë kritikat se njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës flet për unilaterizmin e politikës së jashtme amerikane. Gjatë një paneli në Institutin Amerikan të Paqes, Uizner tha se nuk beson që çështja e Kosovës duhej zgjidhur duke vënë si prioritete implikime të zgjidhjeve të marrëdhënieve ruso-amerikane. "Bashkësia ndërkombëtare duhej të zgjidhte. Rusia nuk ofronte zgjidhje dhe që verën e kaluar filloi të kërcënohet me veto nëse nuk kënaqet perceptimi i interesave të saja. Rezoluta 1244 nuk përjashtonte pavarësinë e Kosovës si mundësi dhe sipas mendimit tim dhe të shumë ekspertëve që kemi konsultuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare nuk ka pasur", ka thënë Uizner. Gjithashtu, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, ka deklaruar se SHBA-ja dhe Rusia do të vazhdojnë dialogun ndonëse ekziston mospajtimi rreth çështjes së Kosovës. "Rregullisht bisedojmë me qeverinë ruse rreth kësaj çështjeje, si dhe për të tjerat. Respektojmë faktin se mes nesh ekziston mospajtimi rreth kësaj çështjeje, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t‘i vazhdojmë bisedimet me respektimin e plotë, pa dhunë dhe frikësim", ka thënë Kejsi. Zëdhënësi ka përsëritur se SHBA-ja e kupton se çështja e Kosovës është shumë e rëndësishme për Serbinë, por ka theksuar se Uashingtoni dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Beogradin. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka vënë në dukje se zgjidhja e çështjes së Kosovës paraqet "një pjesë të ballafaqimit me pasojat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë". Ndërsa ambasadori i SHBA në Serbi, Kameron Munter, tha se "Në ditët e kaluara, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga bashkësia ndërkombëtare, kemi parë një trend shqetësues në gjuhën e përdorur nga disa udhëheqës të Serbisë. Radikalët e papërgjegjshëm nacionalistë, madje edhe në qeverinë e këtij vendi, janë përpjekur që me dhunë t‘i përgjigjen asaj që ka ndodhur në Kosovë. Ata thonë se atyre u është bërë dhunë në Kosovë, prandaj dhuna është përgjigje legjitime. Por në fakt, në Kosovë nuk pati kurrfarë dhune. Ky ishte një vendim diplomatik, me të cilin shumë vende nuk janë dakord".