E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, zbulohen 12 mijë abuzues

Qeveria vendos të verifikojë të gjithë titujt e dhënë në tokën bujqësore. Në bazë të këtij urdhri të Këshillit të Ministrave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka evidentuar shtatë pika kryesore ku janë spikatur problemet me të cilat përballet procesi i ndarjes së pronës. Sipas statistikave të marra nga Ministria e Bujqësisë janë pushtuar në mënyrë të paligjshme deri tani 6100 ha tokë nga rreth 12 mijë persona.

Në ndarjen e tokës është vënë re edhe shfrytëzimi i saj duke refuzuar marrjen e tapive nga familjet bujqësore, në disa rrethe të vendit në një sipërfaqe mbi 21 mijë ha. Sipas shifrave të Ministrisë së Bujqësisë janë dhënë tapi mbi toka jobujqësore në rreth 178 ha pyje, 254 ha kullota dhe 296 ha tokë e pafrytshme.

Janë dhënë tokë mbi normën ligjore 760 familjeve me rreth 500 ha. Po kështu, ministria që ka hartuar draftin për krijimin e titujve të pronësisë për tokën bujqësore ka evidentuar se ka mbivendosje të dy pronësive mbi të njëjtën sipërfaqe, në disa qindra raste, po kështu ka edhe kalime toke në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995. Në relacionin e përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, defektet, parregullsitë dhe shkeljet ligjore në ndarjen e tokës, në të shumtën e rasteve janë shkaktuar me ose pa dashje nga komisionet e tokës. Në këto kushte, megjithëse ka ekzistuar hapësira kohore për të bërë rregullimet e nevojshme, këto komisione nuk kanë shfaqur vullnet dhe aftësi për të korrigjuar situatën e krijuar prej tyre. Kjo ka çuar jo vetëm në mosangazhimin e strukturave përgjegjëse për miradministrimin dhe përfundimin e reformës së tokës, por edhe në një farë padëgjueshmërie zyrtare për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Këshilli i Ministrave pak ditë më parë ka përcaktuar me ligj që shteti të rimarrë tokat, të cilat janë ndarë abuzivisht. Kush ka shitur tokën në fshat do të kthejë paratë. Çdo fshatar duhet të nxjerrë dokumentet e vitit ‘91 dhe ‘95. Ky vendim i qeverisë ka për qëllim të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po kështu, një tjetër qëllim i tij është që strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave, fizikë ose juridikë, vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave. Por si do të përcaktohen kriteret e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas draftit të përgatitur nga qeveria, kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë privatë mbi tokën, të krijuar në sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin "Tokë bujqësore", dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, "Për tokën", të ndryshuar. Në draft përcaktohet gjithashtu se nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991, nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin "Tokë bujqësore" si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date.

Familjet në fshat ose individët, që faktikisht, e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë, në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar. Një tjetër problem i vërejtur nga Ministria e Bujqësisë për ndarjen e tokës bujqësore është fakti se në pozicionin e kryetarit të komisionit të tokës së fshatit në shumicën e rasteve janë vendosur persona me arsim 8 vjeçar ose të mesëm. Komisioni në praktikë ka rezultuar në kontradiktë me nivelin arsimor të tij.

AKKP

Deri në qershor kompensimi fizik

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të përfundojë brenda qershorit kompensimin fizik për ish-pronarët. AKKP ka bërë me dije dje se brenda 6-mujorit të parë të vitit 2008, do të paraqesë në qeveri projektvendimin përkatës për kompensimin financiar të pronave për ish-pronarët. Ky objektiv pune i AKKP-së mbështetet në ligjin nr.9235, "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve". Fondi i vënë nga buxheti i shtetit edhe për këtë vit, është i njëjtë me atë të një viti më parë, rreth 500 milionë lekë. Vlen të theksohet se fondi është tepër i ulët duke i nisur nga numri i ish-pronarëve që presin për kompensimin fizik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›