Pëllumbi: Letra e Gorbaçovit për Ramiz Alinë
Në studion e emisionit "Top Show" të moderatorit Alban Dudushi, në formatin politik të emisionit të ditës së mërkurë ishte i ftuar një figurë e shquar e së majtës në 15 vitet e tranzicionit, ish-drejtues i PS dhe ish-kryetar i Kuvendit, Servet Pëllumbi. Gjithashtu, pjesë e bisedës në studio dhe analizës me Pëllumbin, ishin edhe analistët Andrea Stefani, Artur Zheji, Mentor Nazarko dhe Skënder Minxhozi.
Fillimisht, profesor Pëllumbi i pyetur nga moderatori Alban Dudushi bëri një vlerësim të figurave historike të Shqipërisë. Duke folur për Enver Hoxhën prof. Pëllumbi tha se "mendimi për Enver Hoxhën, kur vjen një kohë e kaluara mund të gjykohet me gjakftohtësi, duhet të dallojmë historinë reale dhe protagonistët e saj. Priremi nga kalimi nga ekstremi në ekstrem, po të shohësh të kaluarën rrallë gjen ndonjë figurë të papërlyer dhe më pas janë përpjekur t‘ia heqin përbaltjen.
Mbas formimit të PS ne u ndodhëm përpara problemit të vlerësimit të Enverit dhe qëndrimit ndaj tij, unë ju siguroj se nuk ka qenë e lehtë të mbaje një qëndrim të qartë, aq më tepër që ai kishte drejtuar një luftë dhe ata që luftuan përkrah tij ishin gjallë. PS me një rezolutë në nëntor 1991 bëri distancim nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe distancimi nga Enver Hoxha duke rreshtuar të gjitha defektet e sistemit, ne nuk futëm defektet personale. Defektet e sistemit janë shoqëruar edhe me krime. Distancimi nga Enver Hoxha ishte distancimi nga krimet që ishin bërë në kohën e Enver Hoxhës. Ne ndërtuam një të majtë jo komuniste, por një të majtë socialdemokrate në atë kongres".
Ndërsa për figurën e Sejfulla Malëshovës, Pëllumbi tha se ai është një figurë që fillimisht me kohën që jetoi kishte edhe qëndrime ekstremiste, kërkonte revolucion proletar megjithëse nuk kishte ardhur koha. Më pas ai dha disa ide socialdemokrate, por kishte filluar lufta për pushtet.
Unë nuk gjej tek e majta një qëndrim ekstremist për Ahmet Zogun. E majta ka qenë dhe vazhdon të jetë më realiste, dënon atë që duhet dënuar, dënon sistemin, por mban parasysh që ka qenë një periudhë 50-vjeçare që një popull i tërë punoi, këto nuk injorohen, por dënohet sistemi diktatorial dhe krimet e tij. Edhe për Zogun të majtët janë më realistë, që ai ishte një monark, që atë debat që filloi që në Lushnjë e më pas në Parlament e ktheu në monarki në vitin 1928 dhe jeta e partive parlamentare përfundoi. Vlerësojmë edhe Kushtetutën dhe punën e tij deri në 1939, por ai iku sapo erdhën fashistët, ndoshta jo me opinga, por me këpucë, por kur erdhën fashistët iku, këtu ai ka përgjegjësi.
Ata që tentuan gjatë 50 vjetëve të rrëzonin Enverin, është çështje më vete, por unë nuk di ndonjë platformë të këtyre grupeve që do rrëzonin komunizmin e do ngrinin një sistem më të mirë, ata nuk kishin as platformë dhe as strategji të qarta, ata tentonin të rrëzonin një sistem të ligjshëm megjithëse komunist. Ata vinin ilegalisht, bënin sabotime, vrisnin shkatërronin. Grupin e deputetëve e quaj një faj të rëndë të atij sistemi, lufta u bë me parulla nacionalçlirimtare dhe mënyra si veproi dhe diktatura e egër që u ushtrua ndaj deputetëve solli ato pasoja që i pamë më pas.
Vlerësimi për Ramiz Alinë
I pyetur nga moderatori Dudushi për kritikat që ka bërë ndaj Ramiz Alisë, ai tha se nuk kam asnjë hatërmbetje dhe unë kam punuar disa vjet me Ramiz Alinë në KQ, ai ishte komunikues dhe një njeri që e njihte mirë politikën, nuk kam pasur asnjë qejfmbetje më të megjithëse ai ishte njeriu kryesor për arrestimin e vëllait tim, në këtë rast i jam drejtuar Ramiz Alisë, por ai tha është shpejt për të bërë vlerësime të tilla, por unë nuk i ngatërroj çështjet personale me politikën. Në nëntor ‘90 i kam bërë një letër Ramiz Alisë ku i argumentoja pluralizmin politik dhe i kërkoja këtë pluralizëm. Realiteti është që intelektualët në takimin e korrikut nuk i kanë kërkuar pluralizëm Ramizit.
Fillimisht edhe unë kam shkuar në dhjetor ‘90, kurrë pashë ekstremizmat e shfaqura nga disa drejtues, i kam thënë edhe Azemit që unë nuk bashkohem me këta ekstremistë. E kritikoj Ramiz Alinë, sepse ai i vonoi proceset demokratike në Shqipëri. E thirrën edhe në OKB, por edhe pas takimit me Peres de Kuelar, Ramiz Alia nuk ishte i vendosur kishte frikë nga Byroja. Mbajti dy fjalime të cilat ishin hapa prapa.
Disa procese të asaj kohe kaluan në ekstrem. Të gjitha ato shkatërrime që ndodhën atëherë ai ka përgjegjësi, ai ishte frenues dhe nuk mori masa për të përshpejtuar proceset.
Ai ishte kontradiktor dhe i frikësuar, dhe në intervistat e gjata që dha edhe për mediat greke, ai përpiqej të ndryshonte realitetin që kishim kaluar.
Katovica është reale dhe ajo ka pasur ndikime, përfaqësues nga Shqipëria nuk ka pasur në këtë takim. Në një takim me Ramiz Alinë në ambasadën kineze e pyeta për një letër që flitej se kishte ardhur nga Gorbaçovi, pasi ata qenë edhe shokë kursi dhe ai më tha "Po erdhën ca gjëra atëherë".
Ai ka pasur rol, por megjithatë, ne Ramiz Alinë nuk e pranuam në PS dhe ai ma vishte mua atë. Ramiz Alia nuk dha asnjë ide apo platformë të qartë pas vdekjes së Enverit, por ai ngriti në tepër kultin e Enverit, dhe qëndronte pas hijes së Enverit dhe kultit të tij. Universiteti "Enver Hoxha", porti, monumente etj., java e Enverit etj…. Organizata të partisë i janë drejtuar të marrë masa dhe ai ka pasur rastin të bëhej një Havel po themi, por këtë gjë nuk e bëri nuk mori masa.
Për Nanon
Në 1996 dhatë dorëheqjen, por duket se keni pasur marrëdhënie të vështira me Nanon?
"Në ‘96-ën pas masakrës zgjedhore dhe dhunës më 28 maj kur PS filloi ta merrte veten, pas edhe takimeve në Bruksel, në mitingun e madh te fusha e zezë thamë se e mori veten PS, pas dy ditësh vjen letra të ikin nënkryetarët se janë përgjegjës për zgjedhjet. Autokritika ime është që nuk mundëm të ndalonim kultin e Nanons ai bën këtë mocion, dhe e gjithë partia ishte kundër këtij mocioni, kisha një dilemë, ose të denoncoja Nanon, por duke pasur parasysh që partia do përçahej dhe një grup ishte gati të bënte një parti tjetër, unë mora përgjegjësi dhashë dorëheqjen, shpreha shqetësimet në marrëdhënie me Nanon dhe mocionin e tij. Thashë që po pranuam këto kërkesa nuk ka më PS, dhashë dorëheqjen dhe nuk pranova asnjë post. Deklarova që do isha oponent, edhe më pas në KPD kam bërë dy letra edhe në Parlament, në konferencën kombëtare më pas fola dhe e kundërshtova. Ai filloi me lista, futi 22 veta me listë pa votuar etj., si këto.
Konkluzioni është ky me ketë mocion Nano instaloi klanet dhe luftën e brendshme në PS. Nano nuk ka dashur që unë të bëhesha kryetar Kuvendi, ia kishte propozuar dikujt tjetër, ai nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e KPD dhe votimin tim në Parlament.
Ai donte që unë të isha vetëm për dy muaj kryetar Kuvendi me idenë që nuk do zgjidhej Presidenti dhe të thoshin që ia e kënaqëm edhe këtë.
Në prag të zgjedhjeve, Meta desh shkëputjen nga PS, unë i kam thënë që në rast se shkëputesh me mua nuk mund të ecësh, i thashë bëheni luftën në PS, bëjini publike, por jo shkëputje organizative në prag të zgjedhjeve.
Pëllumbi, filozofi i politikës
Servet Pëllumbi përfaqëson ndoshta të vetmin filozof të brezit të vet, që siç thotë vetë, në 1991" la katedrat për t‘u përfshirë në politikën praktike". Me një histori personale persekutimi, me një profil intelektual të spikatur për kohën, por dhe i favorizuar nga rrethanat e luftës së brendshme në PS, Fatos Nano, ishte nga një fshat me rivalin, zëvendësin e tij, Spiro Dede,- Pëllumbi u ngjit lart. Arriti të bëhej numri 2 në partinë e re, por që trashëgoi anëtarësinë dhe votuesit e paraardhëses së saj, Partisë së Punës. Realisht numri një në vitet e burgosjes së Nanos, 94-96, Pëllumbi luajal ndaj kreut të partisë, arriti të mbante të bashkuar socialistët, e drejtoi anijen e tyre në vitet e vështira për opozitën, kohë kur dhe fitoi referendumin kundër Kushtetutës, dhe mund të kishte fituar dhe zgjedhjet e majit 1996, nëse nuk do të ishin manipuluar. Nën sulmet e rivalëve të vet për simpati marksiste, përfshi dhe të kryetarit Nano, Pëllumbi jep dorëheqjen në kongresin e verës ‘96. Prishja e PD dhe Berishës me SHBA, kriza e firmave piramidale, nuk mjaftuan ama që ta afronin PS me Perëndimin, por u desh një injeksion i ri drejtuesish nga jashtë, pra ndërrimi i gardës drejtuese me Pëllumbin në krye që e bëri PS të vinte në pushtet, falë dhe revoltës popullore. Pëllumbi përgjithësisht mbajti profil të ulët politik në vitet e para të qeverisjes së majtë 1997-2002, duke mbetur ama kundërshtar i Nanos. Situata ndryshon për të, kur Nano i rikthyer në krye të PS në vjeshtën e 1999, dhe në nevojën për t‘iu kundërvënë Metës dhe Meidanit, i ofron atij një detyrë të lartë. Ai u bë kryetar i Parlamentit prej verës së 2002 kur Dokle, një ish-mik i tij jep dorëheqjen, deri në zgjedhjet e 2005. Lëvizja e Nanos u duk e qëlluar: Pëllumbi nuk u përfshi publikisht në revoltat kundër Nanos dhe mbeti neutral. Largohet nga politika si kryetar Parlamenti, por ëndrra e tij e mbetur në sirtar ishte të bëhej President i vendit, anipse asnjëherë nuk e pranoi publikisht ambicien e tij. Ardhja e Moisiut në krye të vendit në një moshë të shkuar, e bëri të pranueshme idenë se ai mund të pasohej nga një thuajse moshatar si Pëllumbi, gjë që nuk u realizua dot ama.
Pëllumbi mbeti në politikë si një politikan i papërfolur për korrupsion, besnik i bindjeve të veta filozofike, me botime, dhe njëlloj ideologu i së majtës, paçka se krahu, partia ku ai bënte pjesë, gjithmonë e më pak mund të thuhet se ka ideologji udhëheqëse.