Rreziku i misionit të BE së nga Rezoluta 1244
Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe ish-këshilltar i ish-kryeministrit Agim Çeku për një kohë të shkurtër, Robert Muharremi paralajmëron se mbështetja në Rezolutën 1244 të misionit të BE-së është i rrezikshëm, pasi kështu kjo rezolutë do të vazhdojë të konsiderohet si dokumenti kryesor. Organizata të rëndësishme botërore nuk do ta njohin shtetin e Kosovës dhe kjo do të jetojë për shumë vite në një situatë të mjegullt.
Vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës sipas rrjedhave të deritanishme do të merret jashtë Këshillit të Sigurimit, cilat janë komplikacionet e mundshme ligjore të Kosovës në muajt e ardhshëm?
Shpallja e pavarësisë së Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit rrezikon që të ketë për një kohë një paralelizëm midis Rezolutës 1244 dhe shpalljes së pavarësisë ndërmjet autoriteteve kosovare. Rezoluta 1244 nuk mund ta ndalojë pavarësimin e Kosovës, mirëpo përderisa Këshilli i Sigurimit nuk e anulon Rezolutën 1244 ose përmes një veprimi heshtjeje thjesht nuk e implementon dhe me këtë heq dorë nga Rezoluta 1244, ekziston një paralelizëm i mundshëm i kompetencave të shtetit të Kosovës, i cili do të fillojë jetën, pasi që të shpallë pavarësinë edhe ende legjitimiteti të cilin e ka UNMIK-u në bazë të Rezolutës 1244.
Si mund të largohet UNMIK-u nga Kosova pa pushuar së funksionuari apo pa marrë një vendim për shfuqizimin e Rezolutës 1244?
Kosova si shtet sovran pas shpalljes së pavarësisë mund të deklarojë që nuk e dëshiron më tutje praninë e OKB-së në kuadër të kompetencave, të cilat i ka UNMIK-u sipas Rezolutës 1244, sepse kjo në një farë mënyre do të cenonte në sovranitetin e plotë të Kosovës dhe të qeverisë së Kosovës. Mirëpo, aty do të varet prej KS dhe OKB-së në përgjithësi se si do të menaxhojë ajo me shpalljen e pavarësisë, do ta njohë atë nëse e merr vendimin për tërheqjen e UNMIK-ut në një farë mënyre edhe shfuqizimin e heshtur të Rezolutës 1244 kjo mund të konsiderohet si njohje përmes implikacionit të pavarësisë së Kosovës, mirëpo nëse hesht Këshilli i Sigurimit dhe ende është në fuqi Rezoluta 1244, atëherë e kemi një problem se kush është në të vërtetë ai i cili është më sovran në territorin e Kosovës.
Sipas jush, si do të shkojnë gjërat, duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë që do të bllokojë çdo hap pavarësinë e Kosovës?
Unë jam i bindur që me vendosjen e një misioni të BE-së në Kosovë, i cili do të bazohet prapë në Rezolutën 1244, jo në pëlqimin e sovranit të Kosovës kjo do të paraqesë një problem që sa është i gatshëm dhe sa është me vullnet sovrani i Kosovës të japë pëlqimin e vet për një mision të tillë. Do të ishte mirë që Kosova të legalizojë në një farë mënyre me një pëlqim të njëanshëm si sovran edhe praninë e ardhshme të BE-së edhe për një kohë të përkohshme të UNMIK-ut përderisa ajo të tërhiqet nga Kosova. Nëse e marrim parasysh pakon e Ahtisarit aty janë të parashtruara fazat se si të bëhet kalimi i kompetencave prej UNMIK-ut tek organet e Kosovës, pasi të shpallet pavarësia. Nëse shkon Kosova në fazë të njëanshme, pa një fazë të tillë kalimtare, do të kemi një problem të konfliktit të kompetencave, do të ishte e mirë në aspektin praktik që për një kohë të paktën derisa të dorëzohen kompetencat e UNMIK-ut tek institucionet e Kosovës, Kosova të japë pëlqimin që të vazhdojë UNMIK-u, mirëpo pa cenuar sovranitetin e Kosovës vetëm sa për të bartur kompetencat e veta prapë kjo gjë varet prej KS sesa do të jetë i gatshëm ai të tërhiqet.
Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244, si do të interpretohet nga Rusia nga Serbia?
Ata do të interpretojnë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është bërë asgjë. Rezoluta 1244, e cila është nxjerrë në KS ka epërsinë edhe mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është për të ardhur keq që BE mendon ta bazojë në Rezolutën 1244, sepse kjo me një farë mënyre komprometon shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sepse nuk kërkohet pëlqimi i sovranit, por prapë i referohet Rezolutës 1244, do të jetë një situatë e mjegullt juridike ku secila palë do të mund të thirret fituese, pala ruse që e ka shpallur pavarësinë ndërsa pala ruse dhe serbe që ende ekziston Rezoluta 1244.
Si do të ndikojë kjo situatë e mjegullt në të ardhmen e Kosovës?
Duhet të përballet me faktin që për një kohë ndoshta afatmesme apo afatgjatë, vetëm disa shtete do ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndoshta shtetet më të rëndësishme evropiane përfshirë edhe SHBA dhe aspekti negativ do të jetë që në shumicën e organizatave ndërkombëtare OKB, OSBE ndoshta edhe KE Kosova me shumë vonesë do të mund të anëtarësohet, sepse do të jetë dilema se a është tani shtet apo jo edhe për vetë faktin se KS nuk e ka tërhequr Rezolutën 1244 mund të argumentohet që ende ka paqartësi ligjore se a është shtet në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare apo jo edhe për vetë faktin se ka mekanizma brenda këtyre organizatave që do ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës siç mund të ndodhë në OKB.