E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë mund të bëjmë për dekanët e politikës?

Largimi nga politika- largim vullnetar-, i Sabit Brokajt, është vërtet i veçantë, pasiqë ai la në mes një mandat të nisur politik, por ama në një farë mase ka megjithatë precedentët e vet. Ashtu si ai, janë dhe tre politikanë aktivë si Sabri Godo, apo dhe Servet Pëllumbi që u tërhoqën nga politika reale, megjithëse mund të kishin vazhduar të përfshiheshin në garat e reja, qofshin ato elektorale, qofshin brenda partive të tyre. Anëtarë kryesie apo dhe kryetarë nderi të partisë së tyre, ata zgjodhën të tërhiqeshin nga jeta partiake që i impononte mbledhjet rutinë të udhëheqjeve të partisë, takime me elektoratin, pjesëmarrje në parlament, etj. Thuajse në mënyrë të ngjashme ka vepruar dhe Dritëro Agolli, megjithëse ai nuk ishte politikani tipik i forumeve, por një patriark i së majtës që nuk i nënshtrohej disiplinës partiake dhe nuk kandidonte në zonë të caktuar. Brenda së njëjtës logjikë duhet përfshirë dhe largimi i Presidentit Moisiu: mund të kishte zgjedhur të rrinte aktiv në politikë, të përfshihej në një parti ekzistuese, të krijonte një të re, apo të inicionte një lëvizje politike. Por nuk e bëri.

Nuk diskutohet që në këto vendime të tyre, ka diçka morale, që në rastin e Brokajt fiton një dimension të veçantë. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund të mos ketë dhe pasoja të llogaritura mirë prej tyre, për shembull ringjalljen e tyre nëpërmjet kandidimit për kryetar shteti. Ndërkohë, me largimin e tyre ka dhe pasoja që duhet t‘i llogarisim dhe ne. D.m.th., shoqëria dhe institucionet. Ndërkohë, janë disa refleksionet që lindin ndërsa analizon në grup këta individë që kanë jetuar tranzicionin politik në një qasje aktive.

Shqipëria nuk vuan si Italia, apo dhe si Kina problemin e dominimit në politikë, numerikisht, por dhe cilësisht, domethënë zënien e vendeve kyç nga politikanë të moshave të vjetra. Janë me gishta politikanët mbi 70 vjeç, dhe jo ndonjë numër domethënës ata mbi 60. Duhet menduar për një formë angazhimi të tyre. As Italia nuk ka parë të këqija të mëdha prej senatorëve të nderit apo senatit, por as dhe nuk është racionale që eksperienca e madhe e këtyre individëve - investim shoqëror, të mos rikapitalizohet nëpërmjet një senati. Shqipëria më shumë se Italia, nuk e ka luksin të refuzojë kontributin e tyre ideor. Është e vërtetë se Shqipëria ka një specifikë: mesatarja e moshës intelektualisht aktive, këtu është më e ulët se gjetkë, por kjo nuk do të thotë që ata pak individë që janë dhe politikisht aktivë, të injorohen në rast se megjithëse të qartë mendërisht, zgjedhin të tërhiqen nga jeta politike partiake apo institucionale, me vullnet apo për shkak të rotacionit.

Duhet menduar gjithashtu dhe për një kuadër ligjor që rregullon statusin e ish-presidentëve. Jo me vendime qeverie që mund të ndryshojnë me titullarin e radhës, por me ligj të veçantë. Mund të jetë pjesë e ligjit kushtetues për Presidencën që po diskutohet në frymën e politikës konsensuale të ditëve të sotme, ashtu si dhe e një ligji për statusin e ish-kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamentit.

Një shtet që respekton individë të tillë që kanë një bagazh të respektueshëm njohjesh ndërkombëtare, eksperience shtetformuese, ligjore, politike, etj., është shtet i vërtetë. Përndryshe, do të mbetemi shtet i dobët, i dominuar nga individë të caktuar, që për vete nuk mendojnë të largohen dhe do të fillojnë të mendojnë kështu, pra për zgjidhje institucionale që respekton kontributin e dekanëve të politikës, vetëm pasi që ata vetë të arrijnë kufij moshe të tillë. Diçka egoistike, dhe e pakëndshme, mes shumë sendeve të pakëndshme të prodhuar nga këta politikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›