E Diel, 1 Nëntor 2026

PD e PS dakord për koalicione të përbëra

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste duket se ka vendosur përfundimisht që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të paraqitet me koalicion të përbërë, pavarësisht qëndrimeve kundërshtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo çështje është një nga pikat për të cilën është rënë dakord mes përfaqësuesve socialistë të Komisionit të Kodit Zgjedhor dhe atyre demokratë. Burime nga ky komision pohojnë se, pavarësisht se do të mblidhen së shpejti, negociatat joformale mes palëve kanë vijuar rregullisht edhe në nivel ekspertësh, por edhe në nivel politik mes Ilir Rusmalit të PD-së dhe Fatmir Xhafajt të PS-së. Mësohet se një tjetër pikë për të cilën është rënë dakord mes palëve është përcaktimi i periudhës kur zhvillohen zgjedhjet që janë nga data 15 mars deri më 30 qershor dhe nga data 15 shtator deri më 30 nëntor. Gjithashtu mësohet se është rënë dakord edhe për listat e zgjedhësve, një nga çështjet më të debatueshme në çdo proces zgjedhor. Palët kanë rënë dakord që listat të hartohen në bazë të regjistrit kombëtar elektronik të gjendjes civile dhe se votuesit do të votojnë vetëm aty ku banojnë, përjashtuar disa kategori si ata që vuajnë heqjen e lirisë, ushtarakët dhe pacientët e shtruar në spital.

Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›