E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: “Po zvarriten prioritetet”

Autori i Lajmit: red.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i pakënaqur nga kalendari i punimeve trijavore të Kuvendit. Pas mbledhjes së djeshme të tij, kreu i këtij grupi, Pëllumb Xhufi, ka pohuar se hartimi dhe miratimi i Kodit Elektoral, i cili duhet të ishte një prioritet, nuk figuron në këtë kalendar. “Pra, me sa duket, edhe muaji shtator do të kalojë pa realizuar këtë detyrim dhe angazhim të politikës shqiptare”, - tha ai. Xhufi pohoi më tej se në kalendar janë përfshirë disa iniciativa ligjore të LSI-së siç është ligji “Për statusin e minatorit”, ligji “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”. Por ndërkohë është lënë në harresë kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e Gërdecit. Xhufi paralajmëroi se do ta kundërshtojnë këtë vendim, duke pohuar se çështja e Gërdecit dhe zbardhja e saj, do të ishte fillimi i mbarë i këtij sezoni parlamentar dhe do të ishte një mënyrë për të zbardhur një çështje, e cila do të qëndrojë si shpata e Demokleut mbi politikën shqiptare, dhe në radhë të parë mbi qeverinë e zotit Berisha. Ai u shpreh më tej se, në vend të projektligjeve, ka shumë amendime në ligjet ekzistuese, amendime të cilat do të synojnë qartazi që të kapin akoma më tej institucionet nga ana e mazhorancës. Sipas tij, duke parë shumë projektamendime në ligjet ekzistuese për probleme të ndryshme, siç janë ato për pronat, për tokën, për doganat apo edhe për ambientin, arrin të përfundimin se mazhoranca e ka konceptuar këtë fazë parazgjedhore si një moment për të grabitur, për të gllabëruar, akoma më shumë pasuritë publike
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›