Pengmarrja 200 mijë euro, dosja në gjykatë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur pengmarrjen 200 mijë euro të biznesmenit kosovar, Sami Sadullahu, ndërsa i dyshuari kryesor për këtë vepër penale është Adnan Kurtali. Sipas akuzës, ngjarja kriminale e ndodhur në gusht të vitit 2004 në qytetin e Prizrenit, ku u mor peng një tregtar dhe u plagos një tjetër, prej disa vitesh po hetohej nga UNMIK dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim, nga të dhënat mësohet se Adnan dhe Haxhi Kurtali, babë e bir, kanë udhëtuar në Prizren, ku kanë njoftuar me telefon tregtarin e materialeve të ndërtimit, Sami Sadullahu, për një "çështje biznesi". Sadullahu ka shkuar në takim së bashku me një ortakun e vet, Rexhep Shemsedini, por janë përballur me kërcënimin e jetës. Sadullahu urdhërohet të hipë në makinën e tyre "golf", ndërsa Shemsedini plagoset me levë në kokë dhe lidhet në hekura në magazinë. Së bashku me pengun, të dyshuarit kanë udhëtuar për në Has, nga ku me anë të sekserëve i kanë kërkuar familjes së Sadullahut gjobën prej 200 mijë eurosh në këmbim të lirimit të tij. Pas disa ditësh, Sadullahu lirohet, pasi bëhet pagesa në kesh, ndërsa personi i cili mendohet që të ketë shërbyer për dërgimin e të hollave, një pejan me emrin K.Muja, është vrarë. UNMIK kishte vepruar me intensitet dhe kishte mundur të vinte nën pranga Haxhiun 55 vjeç e kishte dërguar gjithandej fotografinë e 26-vjeçarit Adnan. Ky i fundit mësohet se njihej edhe me emrin Hazir, por në pasaportë quhej Adnan. Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka vënë në pranga disa javë më parë Adnan Kurtalin, një nga të shumëkërkuarit, i cili akuzohet për pengmarrje dhe vrasje. Por pengmarrja si dhe krime të tjera duket se kanë përfshirë të gjithë familjen, dhe se i arrestuari i fundit është vetëm një nga anëtarët. Policia e Kukësit bën të ditur se babai i Adnanit, Haxhiu, ndodhet në burg në Kosovë, pasi është prangosur nga UNMIK pikërisht me akuzën e njëjtë dy vjet më parë. Jo vetëm kaq, por edhe djali i madh i familjes, Kujdesiu, 30 vjeç, ndodhet që prej tre vitesh i burgosur në Kukës dhe kalon përmes procesesh të pafundme gjyqesh i akuzuar për vrasje.