E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet në drejtësi, Topi në krah të gjyqtarëve

Presidenti Bamir Topi i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mbrojë gjyqtarët nga sulmet abuzive dhe të pabaza

TIRANË- Në këto ditë përplasjesh mes ekzekutivit dhe sistemit gjyqësor, presidenti i vendit, Bamir Topi, vendos t’u dalë në mbrojtje gjyqtarëve. “Drejtësia kërkon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mbrojë gjyqtarët nga sulmet abuzive dhe të pabaza, po aq sa të disiplinojë gjyqtarët që janë abuzues. KLD-ja si qeverisje e gjyqësorit ka detyrimin kushtetues që të mbrojë gjyqtarët dhe unë ju ftoj ta bëjmë moto të misionit tonë, ashtu siç duhet të ndëshkojmë çdo individ, i cili cenon integritetin e gjyqtarëve dhe rrënon imazhin e sistemit të drejtësisë”,-tha presidenti Topi, gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së.Me cilësinë e kryetarit të Këshillit, presidenti Topi, gjatë mesazhit të tij disa minutash nënvizoi rëndësinë që ka kthimi dhe rritja e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, duke iu kërkuar gjyqtarëve që në punën e tyre të përditshme të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin, për t’u bërë garant i të drejtave të njeriut.

“Në këto kushte, ajo çka duhet të bëjë çdokush për të kontribuar në këtë përpjekje për më shumë integritet dhe pavarësi të gjyqësorit, është që çdo gjyqtar të zbatojë me përpikmëri ligjin, Kushtetutën dhe të jetë garant i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Besimi tek publiku do të jetë çelësi për një sistem drejtësie të konsoliduar dhe të qëndrueshëm”,-shtoi presidenti Topi. Ndërkaq, duke u ndalur tek aktiviteti i KLD-së, Presidenti Topi kërkoi nga anëtarët që të rrisin prezencën e tyre në të gjitha gjykatat e vendit, për të qenë sa më afër punës së përditshme të këtyre gjyqtarëve në vend. “Kushtetuta përcakton veprimtarinë e këtij Këshilli, në qeverisjen e të gjithë gjykatave shqiptare të dy niveleve të para, që do të thotë se do të jemi dëshmitarë të takimeve dhe mbledhjeve të këtij këshilli jo vetëm në këto ambiente që janë në aksin kryesor të bulevardit të Tiranës, por do të jetë një praktikë që do të implementohet nga ky Këshill për të qenë pranë gjykatave në qytetet kryesore të Shqipërisë”,-nënvizoi Topi, duke shtuar se KLD nuk do të jetë thjesht mekanikisht pranë këtyre gjykatave, por do të jetë afër tyre për të dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë.

Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtarët e KLD-së diskutuan edhe për hartimin e akteve të posaçme nënligjore, që kohët e fundit kanë dalë nga zyrat e kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë e që kanë hyrë në zbatim të ligjit të ri për “Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor” në vend. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes së radhës së anëtarëve të KLD-së, e cila u drejtua nga kryetari Bamir Topi, u verifikua mandati i anëtarit më të ri të KLD-së, Neshat Fana, i cili u votua në Kuvend në fund të muajt korrik me iniciativë të disa deputetëve të Partisë Demokratike. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme, u pranua edhe dorëheqja e anëtarit të KLD-së, Guxim Zenelaj, i cili u emërua me propozim të Presidentit Topi dhe votim të Kuvendit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Shtyhet për mbledhjen e radhës procedimi për gjyqtarët që falën Delijorgjin

Debat në KLD për projektligjin e Alibeajt

TIRANË- Shqyrtimi i draftit për “Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor” u bë shkak që anëtarët e KLD-së të shtyjnë kërkesat e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për procedimin disiplinor të 12 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në kryeqytet dhe tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak, të cilët liruan nga akuza protagonistin e tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji. Sipas burimeve nga KLD, gjatë mbledhjes ka pasur debate teknike në lidhje me zbatimin në terren të ligjit për sistemin gjyqësor, si në rastin e trajtimit të hedhjes së shortit, kërkesës për sistemimin e gjyqtarëve, të cilëve iu suprimua vendi i punës apo edhe debati për mësimdhënien e gjyqtarëve. Mësohet se shqyrtimi i kërkesave të ministrit Alibeaj për procedimin e 12 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, tre gjyqtarëve ushtarakë dhe kërkesën për masë disiplinore ndaj ish-gjyqtares së Vlorës, Mirela Mishgjoni, u shtynë për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u ofroi punë 17 gjyqtarëve të cilëve u janë suprimuar vendet e punës, por asnjë nga këta gjyqtarë nuk kanë pranuar të kalojë në administratën e Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar vende të reja pune në gjykata. Në fund të diskutimeve është shqyrtuar edhe pika e ligjit ku parashikohet mësimdhënia nga gjyqtarët e gjykatave të ndryshme në auditorë. Gjatë diskutimit, anëtarët kanë shprehur mendime të ndryshme, ku vetë ministri Alibeaj ka qenë dakord që gjyqtarët të punojnë në sektorin akademik, por duke mos përfituar pagë. Ky propozim nuk është pritur mirë nga disa anëtarë të KLD-së, por që përfundimisht është vendosur që në mbledhjen e radhës të vendoset pro dhënies së mësimit apo kundër.

Dy të dërguarit e Ina Ramës tërheqin draftin: Do t’iu përgjigjemi për nenet që kundërshtojmë

Drafti i prokurorisë, “ngrijnë” negociatat

TIRANË- Zv/ministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, ka pritur dje përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, për të dëgjuar rezervat e tyre mbi draftin e ri për prokurorinë. Takimi është zhvilluar dje në zyrën e Kodifikimit të Ligjeve pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku organin qendror të akuzës e kanë përfaqësuar Zamir Shtylla dhe Kujtim Luli. Ky takim është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe asnjë nga palët e pranishme në këtë takim konsultativ nuk ka preferuar të japë detaje nga takimi një orësh mes tyre. Ndërkohë, burimet e rezervuara pranë këtij takimi thanë për “Shekullin” se dy përfaqësuesit e prokurorisë nuk kanë preferuar të debatojnë me ekspertët dhe përpiluesit e këtij projektligji të shumëdebatuar në media, duke rezervuar të drejtën e shprehjes pas takimit dhe konsultimit që do bënin me shefen e tyre, prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Mësohet se dy prokurorët Shtylla dhe Luli kanë dëgjuar për një orë ekspertët e dikasterit të Drejtësisë, për arsyet e tyre të ndryshimit të ligjit ekzistuesdhe më pas i kanë kërkuar zyrtarisht ekspertëve të ministrisë një kopje përfundimtare të draftit,bashkë me relacionin për ta diskutuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Të dërguarit e Ina Ramës kanë pohuar në takim se do të studiojnë draftin e përgatitur nga Alibeaj, për të dërguar më pas me shkrim pikat që ata kundërshtojnë.F.Vezaj

ANËTARËT

Betimi i anëtarëve të rinj, plotësohet Gjykata e Lartë

TIRANË- Gjykata e Lartë plotëson anëtarët, me betimin e djeshëm të 6 të zgjedhurve nga presidenti Bamir Topi. Sipas zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, Ida Vodica, paraditen e djeshme, në prani të anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë u bë prezantimi dhe betimi i gjashtë gjyqtarëve të kësaj gjykate, të cilët u votuan në fund të muajt korrik me shumë debate në Kuvend. Me dorën mbi Kushtetutën e vendit, gjashtë gjyqtarët më të rinj: Aleksandër Muskaj, Andi Çeliku, Arjana Fullani, Guzim Zenelaj, Evelina Qirjako dhe Majlinda Andrea u betuan sipas zakonit, solemnisht se, do t’i qëndrojnë kurdoherë besnikë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dukerespektuar rregullat e etikës profesionale. Zgjedhja e tyre si anëtarë të Gjykatës së Lartë nga Kuvendi erdhi pas rrëzimit të gjashtë dekreteve të para të Presidentit nga votimi në Kuvend, ku sipas mazhorancës, përzgjedhja e emrave të tyre është bërë pa u konsultuar me Kuvendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›