E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret delegacionin e Unionit Kristiandemokrat gjerman.

10 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një delegacion të Unionit Kristiandemokrat të Gjermanisë (CDU), të kryesuar nga Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Shkencës, Ekonomisë dhe Telekomunikacionit të Landit Shlesvig-Holshtajn.

Presidenti Topi pasi uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e të konsoliduara mes dy vendeve tona, theksoi se vizita të tilla janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe forcimin e zgjerimin e komunikimit.

Pasi përshkroi reformat e kryera, sukseset dhe arritjet ku më e fundit ishte marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Samiti i Bukureshtit, Presidenti Topi shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për vazhdimin e reformave integruese dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për t’u anëtarësuar edhe në Bashkimin Evropian, si edhe forcimin dhe pavarësimin e institucioneve dhe të Shtetit të së Drejtës. Në këtë drejtim, theksoi Presidenti Topi, është shumë e rëndësishme edhe marrja e shkëmbimi i përvojës me Gjermaninë në fusha si shëndetësia, arsimi, shkenca dhe kërkimi shkencor.

Përfaqësuesit e delegacionit të CDU-së, duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm mes dy vendeve tona, shprehën mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit dhe gatishmërinë për të dhënë ndihmesë, mbështetje dhe ndarë përvojën me synim realizimin e aspiratës integruese të Shqipërisë në fusha të ndryshme si mjekësi, teknologji, arsim, shkencë etj.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›