E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret një përfaqësi fëmijësh të bashkësisë rome.

8 prill 2008

Me rastin e Ditës Botërore të Romëve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në Presidencë një përfaqësi fëmijësh romë të shoqëruar nga drejtues të Unionit të Romëve të Shqipërisë “Amaro – Drom”.

Kryetari i Shtetit u përshëndet nga afër me të ftuarit, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për këtë takim miqësor me fëmijët e bashkësisë rome dhe për mundësinë e bashkëbisedimit të hapur e të përzemërt me ta. Pasi është interesuar për mbarëvajtjen e këtyre fëmijëve në jetë e në mësime, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e punës me devotshmëri dhe profesionalizëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët, për të mundësuar për ta kushte dhe standarde të larta të edukimit dhe të arsimimit, duke theksuar edhe rëndësinë e vaksinimit të tyre, në mënyrë që fëmijët e bashkësisë rome të ndihen dhe të jetojnë plotësisht të integruar në shoqëri, si qytetarë të barabartë e me të drejta të plota.

Presidenti i Republikës uroi pjesëmarrësit në këtë takim me rastin e Ditës Botërore të Romëve dhe, duke vlerësuar bashkëjetesën dhe harmoninë shoqërore mes të gjithë komuniteteve në vend, Kryetari i Shtetit theksoi faktin se komuniteti rom, në një vend pa diskriminim si Shqipëria, ndihet i mbështetur dhe duhet përfaqësuar në të gjitha nivelet e pushtetit vendor. “Arritjet pozitive të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha z. Topi, - “janë edhe një nxitje për t’iu përkushtuar më shumë përgatitjes së brezit të ri, për të pasur njerëz të denjë dhe profesionistë, të aftë për zhvillimin progresiv të shoqërisë shqiptare, çfarë është dhe një synim i yni i qartë për të ardhmen”.

Nga ana e tyre, përfaqësues të Unionit të Romëve shprehën mirënjohjen e thellë për pritjen nga Presidenti Topi, të cilit, fëmijët i dhururan në shenjë respekti dhe dashamirësie një shportë me lule, pjesë kjo e traditës së bashkësisë rome. Në të njëjtën kohë ata i transmetuan Kryetarit të Shtetit urimet më të mira për ftesën e anëtarësimit të vendit në NATO, duke vlerësuar reformat e ndërmarra, që sipas tyre padyshim janë edhe në kontribut për mirëqenien e komunitetit rom në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›