E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentit Topi i dorëzohet një ndihmë financiare (çek) prej 4 milionë dollarësh për ngjarjen e Gërdecit në emër të Emirit dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit.

10 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një delegacion të lartë të Shtetit të Kuvajtit, të kryesuar nga Ismail Al Shati, Këshilltar i Kryeministrit të Shtetit të Kuvajtit dhe Burges Al Byrges, Kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit, të cilët i dorëzuan Kreut të shtetit shqiptar një kontribut financiar prej 4 milionë dollarësh për pasojat e ngjarjes tragjike të Gërdecit.

Presidenti Topi pasi u uroi mirëseradhjen e i falenderoi për ndihmesën e madhe dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor, psikologjik dhe ekonomik të shprehur për të prekurit dhe pasojat e ngjarjes tragjike të Gërdecit, vuri në dukje se janë marrë masa të menjëhershme për kapërcimin e situatës së emergjencës dhe se po punohet për stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e jetës në rrjedhën e saj normale.

Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu edhe marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona duke shprehur edhe mirënjohjen për ftesën që i është bërë për të vizituar Kuvajtin, gjë që shpreson ta realizojë në kohën e përshtatshme.

Ministri Ismail Al Shati, në emër të Emirit dhe mbarë popullit kuvajtian shprehu ngushëllimet e sinqerta dhe keqardhjen e thellë për viktimat dhe të prekurit nga ngjarja e rëndë Gërdecit duke vënë në dukje se marrëdhëniet tona janë tepër të ngrohta e vëllazërore dhe se miqtë e vërtetë njihen dhe i gjenden njëri-tjetrit në raste fatkeqësish.

Pas marrjes në dorëzim të çekut prej katër milionë dollarësh nga Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe kuvajtiane, Burges Al Burges, Presidenti Topi u shpreh publikisht para mediave të pranishme: “Kjo, në radhë të parë, ia vlen shumë për popullin shqiptar, për njerëzit që janë prekur nga kjo tragjedi, që ta shohin drejtpërdrejt gjestin.

Sot pata kënaqësinë që të takohesha me një delegacion që vjen nga shteti mik i Kuvajtit, me zotin Ministër, me zotin Kryetar, përfaqësues i “Gjysmë Hënës së Kuqe”. Kjo vizitë ishte për të shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet për familjet e prekura në tragjedinë e Gërdecit pikërisht nga Emiri i Kuvajtit, i cili me një ndjeshmëri të veçantë, përveç përcjelljes së ngushëllimeve, solidaritetit njerëzor, ka bërë një gjest tjetër mjaft të vlerësueshëm, duke dorëzuar çekun për ndihmë financiare për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo tragjedi, një shumë, të cilën po e shoh tani, janë 4 milionë dollarë.

Ne falënderojmë personalisht Emirin e Kuvajtit, për këtë lloj ndjeshmërie të lartë për t’i ardhur në ndihmë popullit mik të Shqipërisë, siç edhe e keni thënë.
Unë ju falënderoj pa masë dhe në emër të të gjithë banorëve të zonës së tragjedisë, të cilët ju janë shumë mirënjohës! Natyrisht, ky çek është tregues i qartë i asaj miqësie të konsoliduar që ekziston midis Shqipërisë dhe Kuvajtit, vende që, përveç një tradite të shkëlqyer në marrëdhënie, kanë rritur ndjeshëm dialogun politik në nivelet më të larta dhe kanë hapur një perspektivë zhvillimi në të gjitha fushat.

Sikurse e kërkon rregulli, Institucioni i Presidentit, do ta dorëzojë çekun në llogarinë që është që është specifikuar për zonën e dëmtuar dhe do ta bëjmë publik këtë gjest të shkëlqyer që vjen nga Emiri i Kuvajtit, duke ju siguruar që ne do t’ju jemi jo vetëm mirënjohës, sepse njeriu bëhet më i ndjeshëm kur ndihet në çastet më të vështira, por ne do ta kthejmë këtë ndihmë në një rritje të ndjeshmërisë dhe të respektit për popullin e Kuvajtit, për Emirin e Kuvajtit duke ju premtuar që marrëdhëniet tona do të jenë gjithmonë e më shumë intensive në funksion të interesave të dy vendeve si dhe në drejtim të paqes e sigurisë që të dy vendet tona i kontribuojnë në institucionin ku bëjnë pjesë. Edhe një herë dëshiroj t’ju falenderoj”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›