Rama zhvillon takime me sheikët e Kuvajtit
Në përgjigje të ftesës së Kryeministrit të Kuvajtit, kryetari i Bashkisë së Tiranës po zhvillon një vizitë dyditore në Kuvajt. Kryebashkiaku Rama u prit në takime të veçanta nga personalitetet më të larta të vendit. Ai pati një takim me Kryeministrin e Kuvajtit, sheikun Nasser Al Saba, nga i cili mori mbështetje të plotë nga ana e tij për financimin e një sërë projektesh për qytetin e Tiranës. Kryeministri theksoi gatishmërinë për mikpritjen e projekteve të tjera në fushën e infrastrukturës publike, turizmit, mjedisit etj. Sakaq, kryetari i bashkisë është pritur në një takim të veçantë nga Emiri i shtetit të Kuvajtit, sheiku Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah. Në këtë takim, Rama i ka shprehur mirënjohjen në emër të qytetit të Tiranës për dhuratën e tij prej 5 milionë eurosh për rindërtimin e sheshit "Skënderbej". Nga ana e tij, Emiri i Shtetit të Kuvajtit ka pranuar me kënaqësi propozimin e kryebashkiakut Rama, për t‘u bërë më i riu Qytetar Nderi i Tiranës. Gjithashtu, Emiri ka pranuar ftesën për të vizituar Tiranën, vizitë gjatë së cilës do të marrë zyrtarisht titullin e nderit. Rama u prit gjithashtu edhe nga kryetari i Parlamentit, Jassim Al Kharafi, ministri i Punëve Publike, si dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim të frytshëm me guvernatorin e Al Ahmadit, rajonit më të zhvilluar të Kuvajtit nga pikëpamja ekonomike, me të cilin është planifikuar nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy bashkive në fusha të ndryshme.