E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi, sektori publik-privat, nënshkruhet marrëveshja

Autori i Lajmit: red.
Bashkëpunimi i sektorit publik-privat për rritjen e cilësisë së shërbimeve nga operatorët turistikë në Shqipëri, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, do të bëhet në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar të martën nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dhe presidentja e Shoqatës Shqiptare e Turizmit, Leida Matja. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në ambientet e MTKRS-së, ministri Pango u shpreh se "kjo marrëveshje ofron hapësira të reja për të gjithë sektorët që përfshin shoqata, duke krijuar mundësinë e organizimit të sektorit privat në një zë të përbashkët". Ai cilësoi se qeveria shqiptare e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion kryesor mesdhetar. "Me thellimin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat do të jemi më rezultativë në konkretizimin e projekteve", - përfundoi Pango. Ndërsa presidentja e Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Leida Matja, vlerësoi se “fusha e turizmit është shumë e gjerë, pasi prek në një farë mënyre të gjitha fushat e ekonomisë, por dhe industrinë me rritjen më të shpejtë". Ajo vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që i shërben ndërtimit dhe realizimit të turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në Shqipëri. "Ambicia jonë është përfaqësimi denjësisht në të gjitha strukturat që qeveria ka ngritur për zhvillimin e turizmit”, - tha Matja. ATA (Albanian Tourism Association), Shoqata Shqiptare e Turizmit u krijua më 22 maj të këtij viti. Anëtarë të saj janë përfaqësues të agjencive të udhëtimit turistik, njësive akomoduese turistike, restoranteve turistike, etj.

Sipas Ëorld Travel & Tourism Council kontributi i turizmit në GDP shqiptare aktualisht është rreth 3.8% (për vitin 2006) dhe për vitet 2007 – 2013 ajo parashikohet të ketë një rritje vjetore prej 7.5 %.

Për tetëmujorin e parë të vitit 2008 numri i turistëve që ka vizituar vendin tonë është 2089583. Nga këta: 92% evropianë, 5 % amerikanë, 2 % aziatikë e 1% vende të tjera.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›