E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patinazhi në kryqëzim të Korçës, rrezik aksidentesh

17/12/2009  Ankohen qytetarët
KORÇE- Patinazhi në qendër të Korçës, i ndërtuar mbi një kryqëzim udhësh të brendshme, përballë me katedralen, e trumbetuar nga drejtuesit e bashkisë të këtij qyteti si një nga arritjet më të mëdha të saj, si një surprizë për qytetin e vet, si diçka e veçantë që nuk është aplikuar ndonjëherë më parë në ndonjë qytet tjetër të vendit, tashmë po rezulton se ka qenë ideja më e gabuar e mundshme, pasi çdo ditë e më shumë kjo pistë patinash po bind qytetarët e saj dhe drejtuesit e automjeteve se shumë shpejt do të ndodhemi përballë aksidenteve automobilistike, me përplasje mjetesh, me lëndime apo dhe me pasoja për jetën e njerëzve. Nëse do të ndodhë kështu (të gjitha gjasat po e thonë këtë), atëherë vdekja e një qytetari do të rrijë varur mbi ndërgjegjen e drejtuesve të bashkisë për një kohë të gjatë, duke nxjerr në pah absurditetin e vendimmarrjeve të tilla. Sipas drejtuesve të automjeteve, vendosja e pistës së patinazhit mbi një kryqëzim udhësh, detyrimisht sjell prishjen e gjithë trafikut të njerëzve dhe të automjeteve, pasi që nga çasti që kryqëzimi u bllokua të gjitha automjetet janë të detyruara të kalojnë vetëm në njërin krah të rrugës, pavarësisht nga kahu i drejtimit të tyre, çka do të thotë se mundësia e përplasjes së automjeteve bëhet gjithnjë e më e madhe. Ndërkaq, po në këtë masë vështirësohet edhe trafiku i njerëzve, pasi tashmë për të kaluar nga njëra anë e udhës te tjetra, gjithkujt i duhet të kalojë “një lumë” makinash, të cilat (jo si më parë) vijnë nga të dy krahët. Mundësia për të qenë i vëmendshëm ndaj automjeteve që qarkullojnë bëhet gjithnjë e më e vogël, pasi kërkohet të orientohesh edhe nga automjetet që vijnë nga krahu i kundërt. Mbi të gjitha në rrugë nuk kalojnë vetëm njerëz të përgjegjshëm, por edhe persona më aftësi të kufizuara mendore dhe fizike, edhe të sëmurë, edhe pleq që duan një farë kohe për të dalë në kahun tjetër të rrugës, edhe fëmijë, që më së shumti mbeten të hutuar mes tmerrit dhe frikës. Sipas qytetarëve, pista e patinazhit ka qenë ideja më e gabuar e mundshme, pasi ende pa u vënë në funksionim kjo pistë, çdo ditë e më shumë po shihet qartë se aksidentet janë shumë pranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›