E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Do ta kundërshtojnë’ privatizimin me Kushtetutë

Nga Express më 31 mars 2011 në ora 17:15

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të PTK-së, të enjten ka protestuar kundër privatizimit të PTK-së. Protesta ka filluar në kohën kur nisi punimet seanca e Kuvendit, ndërsa ajo u ashpërsua pasi deputetët me shumicë votash miratuan buxhetin për vitin 2011, në të cilin përfshihet edhe privatizimi i PTK-së. Protestuesve iu bashkuan edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët lëshuan seancën kur u votua projektbuxheti.

Deri sa deputetët diskutonin dhe votonin për amandamentimet e projektbuxhetit, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Milazim Alshiqi u bëri thirrje deputetëve t’i thonë jo privatizimit të postës, pasi që sipas tij Posta dhe Telekomi i Kosovës ka ndihmuar më së shumti zhvillimin ekonomik në Kosovës.

“Te nderuar deputetë, në emër të vullnetit të mirë ju bëjmë ftes t’i thoni jo privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës, me të vetmen arsye që Posta dhe Telekomi i Kosovës është kompania e vetme e Kosovës qa ka ndihmuar dhe ndihmon. Nëse ju i thoni jo privatizimit të Postës së Kosovës, ju kini ndihmuar shumë në zhvillimin e Kosovës, ju keni ndikuar që popullata, fëmijët tuaj, fëmijët tanë, në këtë shtet të ndihen rehatshëm”, u shpreh Alshiqi, siç transmeton Kosovapress.

Ndërkaq me të marrë lajmin se Buxheti i Kosovës është miratuar në Kuvend, e me të edhe neni 4, i cili parasheh privatizimin e Postës, protestuesit u revoltuan dhe situata eskaloi, pasi ata provuan që me dhunë të hynin brenda në Kuvend. E me këtë rast Policia e Kosovës përdori spreji për të larguar protestuesit nga dyert e Kuvendit. Nga ndërhyrja e policëve u lënduan disa protestues dhe dy gazetarë, si dhe u arrestuan dy protestues.

Protestës iu bashkuan edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në vazhdimësi kanë kundërshtuar privatizimin e PTK-së.

“Jemi mbledhur këtu që ta kundërshtojmë privatizimin e PTK-së, i cili po kontrabandohet në emër të rritjes së pagave për shërbyesit civil. Të gjithë jemi për rritjen e pagave dhe atë jo me 25 %, por me rritjen e pagave 40, 50, ashtu siç është premtuar, me duam sa më shumë paga të dinjitetshme. Nuk mund të pranojmë që në emër të kësaj, në nenin 4 të ketë ligje për buxhet për vitin 2011 të kontrabandohet privatizimi i PTK-së”, theksoi Kurti.

Ndërsa në vazhdim e sipër të protestës, një delegacion i këshillit protestues në krye me Milazim Alshiqin hynë brenda në Kuvend, ku zhvilluan një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga i cili takim nuk patën një rezultat konkret.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Milazim Alshiqi doli para turmës së protestuesve duke cituar fjalët e kryekuvendarit Krasniqi, që ky revoltim kundër privatizimit të postës të ndjek rrugët ligjore.

“Për të mos u keqkuptuar, ne tani si kryesi, si sindikatë, i kemi forumet tona, e kemi Kuvendin, e sindikatës, e kemi statutin, i kemi ligjet, e kemi Kushtetutën. Në çoftë se ju pajtoheni është propozim i imi që unë do ta respektoj mendimin e juaj, që ne të tentojmë t’i shfrytëzojmë rrugët ligjore, ta shqyrtojmë mundësinë si qëndron në nenin 4, a ka vend për t’u ankuar, apo nuk ka. Mos e kuptoni këtë që vetëm po du me ju largu, por nëse ka mundësi ligjore me ndjek ligjin, Kushtetutën. Jemi dëshmitar të gjallë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës i rrëzoi dy presidentë”, theksoi Alshiqi.

Kishte protestues që e kundërshtuan kreysindikalistin, mirëpo protesta u shpërnda e qetë, ndërsa këshilli protestues mbeti që më vonë të vendos për masat e ardhshme.

Eskalon protesta e punëtorëve të PTK-së

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të PTK-së, pas miratimit të Buxhetit për vitin 2011 nga Kuvendi i Kosovës, ku përfshihet edhe privatizimi i PTK-së, kanë thyer derën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë tentuar që të hyjnë brenda oborrit të Kuvendit, raporton KosovaPress.

Policia i ka ndaluar, duke përdorur edhe sprejin lotsjellës, ndërsa disa persona janë arrestuar. IndeksOnline raporton se një gazetare është dërguar në spital, si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës.

Protestuesve u janë bashkuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ndodheshin në seancë.

Në protestë merrnin pjesë një numër i madh i punëtorëve të PTK-së, të cilët kanë thirrur “hajna - hajna”.

Sindikalistët e PTK-së po kundërshtojnë privatizimin e ndërmarrjes së tyre, pasi shfaqin frikën se një numër i tyre do të mbesin pa punë pas privatizimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›