E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubi padit mediat

Klubi për Politikë të Jashtme ka paralajmëruar padi ndaj RTK’së dhe të disa mediave tjera për “linçimin publik që i është bërë shoqërisë civile”. KPJ ka konfirmuar edhe dështimin e iniciativës për t’u ankuar në Ambasadorin Christopher Dell te Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Nga Faton Ismajli më 31 mars 2011 në ora 17:26

Gati tri javë pas publikimit të një draft plani të veprimit për protesta të shoqërisë civile ndaj institucioneve shtetërore dhe padëgjueshmëri qytetare, ka reaguar Klubi për Politikë të Jashtme, duke paralajmëruar padi ndaj Televizionit Publik dhe disa mediave tjera.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i KPJ’së, Ylli Hoxha, i cili ka thënë se RTK dhe disa media të shkruara kanë bërë “linçim publik ndaj një pjesë të shoqërisë civile”, të cilët kanë paralajmëruar protesta për të kontestuar legjitimitetin e zgjedhjes së institucioneve.

Pikërisht, nxjerrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku është konstatuar se është shkelur Kushtetuta me rastin e zgjedhjes së Presidentit - është përdorur si fakt nga KPJ’ja se përpjekja e shoqërisë civile, megjithëse e dështuar, për të kontestuar legjitimitetin e institucioneve ka qenë e drejt.

Ky zyrtar i KPJ’së ka interpretuar vendimin e Gjykatës duke thënë se vendimi për shkelje të Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Presidentit i dha të drejt shoqërisë civile.

“Bordi i KPJ’së më ka autorizuar për të ngritur padi ndaj të gjitha mediave dhe individëve, institucioneve, të cilët kanë shkelur mbi në një drejtë legjitime të shoqërisë civile dhe kanë kualifikuar veprimtarinë tonë si puç, si veprimtari të jashtëligjshme”, ka thënë Hoxha, në një konferencë të mbajtur të enjten.

Drejtori i KPJ’së ka konfirmuar se ka dështuar edhe nisma e Klubit dhe e një pjesë të shoqërisë civile që me anë të një letre drejtuar Sekretares së Shtetit Hillary Clinton të ankohen në disa veprime të Ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.

“E tërë kjo iniciativë është nisur brenda shoqërisë civile dhe duke mos gjetur mbështetjen e mjaftueshme është lënë si iniciativë e cila nuk e ka pas rezultatin e duhur. Asnjë prej pikave që është parashtruar në platformën brenda atij diskutimi nuk është çuar më tutje”, ka thënë ky zyrtar i KPJ’së.

Ylli Hoxha ka dhënë edhe leksionet e tij për mediat.

“Kështu një përpjekje krejtësisht legjitime dhe e garantuar me Kushtetutë për protestë u quajt puç, komplot e rebelim, ndërsa bartësit e idesë u linçuan si të ishin armiq më të mëdhenj të Shtetit”, ka thënë Hoxha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›