E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE dhe SHBA: Deputetët të mos e bojkotojnë seancën

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, i ka bërë thirrje aktorëve politikë në vend që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe deputetëve të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit. Të njëjtën e kërkoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa opozita paralajmëron sërish bojkot. Nga Express më 31 mars 2011 në ora 18:21

(E plotësuar) Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, i ka bërë thirrje aktorëve politikë në vend që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një komunikate ai ka theksuar se dhe deputetët që e çuan çështjen në Kushtetuese tani e kanë detyrim moral e politik që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Feith thekson se këtë qëndrim ndajnë dhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në Prishtinë.

SHBA: Deputetët të mos e bojkotojnë seancën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një kumtesë për media ka shprehur mendimin e saj lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për jo-kushtetutshmërinë e procedurës për zgjedhjen e Pacollit president në seancën e 22 shkurtit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar të gjithë qytetarët, institucionet dhe partitë politike të Kosovës që të respektojnë dhe ta përmbushin këtë vendim të marrë nga gjykata më e lartë në vend, pasi sipas saj, është me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë që vendimet e Gjykatës të respektohen si në praktikë, po ashtu edhe në teori.

Për me tepër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se deputetët e kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së Gjykatës në formë dhe përmbajtje, dhe për këtë arsye i ka ftuar ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës.

“Ne i kushtojmë vëmendje të posaçme mendimit të Gjykatës se të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit janë të obliguar që të kryejnë detyrat e tyre për të cilat janë zgjedhur nga populli i Kosovës, përfshirë edhe obligimin për të marrë pjesë në procedurat për formimin e institucioneve kushtetuese të Kosovës. Gjykata thekson (paragrafi 83 i mendimit të saj) se “Të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim ndaj njerëzve të Kosovës që i zgjodhën ata. Ne besojmë se ata deputetë, të cilët kërkuan mendimin e Gjykatës lidhur me seancën e 22 shkurtit, kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së Gjykatës në formë dhe përmbajtje dhe ne i ftojmë ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova gjendet në një çast kritik në historinë e saj të re dhe nuk mund t’ia lejojë vetes këtë lloj të paralizës institucionale dhe politike që do të vinte si rezultat i dështimit të deputetëve, të cilët kërkuan këtë mendim, për ta respektuar aktgjykimin e Gjykatës për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese, ligjore dhe politike për vendin dhe popullin e Kosovës”, thuhet më tej në kumtesën Ambasadës së SHBA’ve.

Opozita paralajmëron sërish bojkot

Koalicioni qeverisës tashmë ka mbledhur nënshkrimet për kandidaturën e re të Behgjet Pacollit për president të Kosovës, ndërkohë që është afër përfundimit të nënshkrimeve për kandidatin e dytë, siç e përcakton edhe Kushtetuta e vendit. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të lejohet vakum institucional, përderisa opozita ka paralajmëruar sërish bojkot të seancës nëse Pacolli do të jetë prapë kandidat për president.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për jo kushtetutshmërinë e procedurës për zgjedhjen e Pacollit president në seancën e 22 shkurtit, koalicioni qeverisës ka nisur menjëherë punën për të mbledhur nënshkrimet për kandidatët, por edhe për seancën e jashtëzakonshme.

Kryeministri Thaçi ka thënë se koalicioni është duke funksionuar shumë mirë.

“Koalicioni është duke punuar dhe ju e patë funksionimin e shkëlqyeshëm. Prandaj do të vazhdojmë me hapat tonë konkretë sipas marrëveshjes që e kemi pasur edhe më herët. Prandaj Kosova do ta ketë presidentin e vet dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejohet vakum, por funksionim i mirë i institucioneve. Ne nuk kemi nevojë për eksperimente, por për funksionim efektiv dhe efikas të institucioneve me respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani ka bërë të ditur se janë mbledhur nënshkrimet për kandidaturën e Pacollit dhe për seancën e jashtëzakonshme dhe se tash vetëm pritet të aprovohet prej administratës së Kuvendit dhe t’i dorëzuar Kryesisë së Kuvendit për ta caktuar seancën.

Ajo ka bërë të ditur se janë gati edhe nënshkrimet për kandidatin e dytë, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë femër.

“Sipas të gjitha gjasave shumë shpejt do të dëgjoni se afër janë nënshkrimet edhe për kandidatin e dytë. Është i gjinisë femërore. Do të shihet, afër janë nënshkrimet. Po ju them shumë sinqerisht se kësaj radhe Pacolli do të jetë president legjitim dhe shpresoj që opozita do të jetë racionale”, ka thënë Selmani.

Nga ana tjetër, opozita paralajmëron se do ta bojkotojë seancën nëse do të jenë të njëjtat rrethana sikur në seancën e 22 shkurtit, përderisa konsideron se as Gjykata Kushtetuese, as askush tjetër nuk mund t’ia mohojë deputetit apo një grupi parlamentar që ta lëshojë seancën.

Ismet Beqiri, shef i GP të LDK-së, parti kjo që insiston në zgjedhje të reja, ka thënë se Kosova nuk është Kubë dhe nuk është shtet me diktaturë, prandaj askush nuk mund t’i obligojë deputetët që të qëndrojnë në sallë, siç ka thënë ai, për t’i bërë qejfin Hashim Thaçit.

“Kjo që tentohet nga dikush të thuhet që është obligative të rrijë dhe nuk guxon askush të dalë nga seanca, kjo nuk ka ndodhë as në botën demokratike, as nuk mund t’i ndodhë Kosovës. Askush nuk mund ta ndalojë deputetin, as grupin parlamentar të cilësdo parti ta lëshojë seancën nëse nuk pajtohet për një propozim, duke llogaritur se ai është në interes të shtetit. Edhe lëshimin e seancës për një çështje të caktuar, e llogarisim se mund të jetë në interes të shtetit”, ka thënë Beqiri.

I prerë në këtë qëndrim është edhe shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka thënë se nëse Pacolli do të jetë sërish kandidat, atëherë deputetët e AAK-së, nuk do të qëndrojnë në sallë.

“Nëse rrethanat do të jenë të njëjta, ne prapë do ta braktisim seancën e Kuvendit të Kosovës…Mendojmë se ka mundësi për shumë rrethana të ndryshme, nuk guxoj të spekuloj, sepse mund të jenë 100 rrethana të ndryshme. Nëse do të jetë zoti Pacolli kandidat për president të Kosovës në këtë koalicion me zotin Thaçi, ne prapë do ta lëshojmë sallën e Kuvendit”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, mënyra se si interpretohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është një përpjekje që të ndërtohet diktaturë në Kosovë, ngase, sipas tij, e drejta për bojkot është shumë demokratike.

Kurse Visar Ymeri, shef i GP të Vetëvendosjes, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket daljes së deputetëve nga salla, e konsideron më shumë si një interpretim moralizues.

Sidoqoftë, ai thekson se për të pasur një qëndrim të qartë rreth seancës së ardhshme, Vetëvendosjes i duhen informatat se si do të rrjedhë kjo seancë.

“Së pari duhet t’i kemi informatat se si do të rrjedhë ajo seancë, në mënyrë që ta dimë se si do të veprojmë ne. Ende nuk po dihet se a do të jetë Pacolli kandidat për president dhe ende nuk po dihet se a do të jetë vetëm Pacolli kandidat. Pra, këto informata janë të domosdoshme para se Lëvizja Vetëvendosje ta marrë një vendim për një gjë të tillë”, ka thënë Ymeri.

Ai ka theksuar se megjithatë, qëndrimi kundërshtues i kësaj lëvizje për Pacollin ka qenë i qartë, pikë së pari për shkak të së kaluarës së tij.

Kosova është pa president, që nga 29 marsi, kur Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin, sipas të cilit, procedura e seancës së 22 shkurtit për zgjedhjen e presidentit ka qenë antikushtetuese. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›