Tahiri merr mbështetje nga Berisha

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka qëndruar të enjten në Tiranë dhe ka marrë mbështetjen e Kryeministrit Sali Berisha si kryesuese e delegacionit kosovar në dialogun teknik Kosovë-Serbi.
“Në takim u rikonfirmua qëndrimi i prerë dhe pa ekuivok se këto janë vetëm bisedime teknike që kanë të bëjnë me çështje të jetesës së përditshme të qytetarëve të këtyre dy vendeve, të pavarura e sovrane, dhe nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo për ndryshimin e kufijve”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë së Shqipërisë.
Në këtë kontekst u theksua se ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurim të kufijve nuk i shërben stabilitet, sigurisë dhe paqes në rajon. Bashkëbiseduesit shprehën mirënjohje SHBA’së dhe BE’së për mbështetjen e këtyre bisedimeve teknike, si dhe u vlerësua fakti që sot Kosova është jo vetëm një ndër vendet më të sigurta, me treguesit ndër më të ulët të kriminalitetit në rajon dhe në Evropë, por është shndërruar qartësisht në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti, sigurie dhe promovimi të bashkëpunimit dhe të miqësisë në rajon.
Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi kontributin e kryeministrit Berisha në mbështetje të çështjes kombëtare dhe në veçanti në mbështetje të Kosovës.