E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Azem Shkreli” fitohet nga Sabri Hamiti

Nga Ardian Jasiqi më 02 shkurt 2011 në ora 15:35

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka ndarë çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore letrare të MKRS-së.

Juria ka qenë e përbërë nga Ramadan Musliu, Nysret Krasniqi, Kujtim Rrahamani, Isak
Ahmeti dhe Arsim Canolli.

Kjo juri njëzëri ka vendosur se çmimin kryesor kombëtarë për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” ta fitoi akademik Sabri Hamiti.

Disa javë më parë këtë eveniment e kishte kundërshtuar poeti Agim Vinca me arsyetimin se “juria që e jep këtë çmim është e përbërë nga njerëz që vijnë nga një parti politike si dhe nga individë profesionalisht jokompetent”.

“Të shtunën, më 22 janar, nëpërmjet shtypit, u informova për përbërjen e jurisë që pritet të marrë vendim për dhënien e Çmimit ‘Azem Shkreli’ për vepër jetësore dhe për veprën më të mirë letrare të botuar gjatë vitit 2010 nga fusha e poezisë, e prozës, e studimit të letërsisë dhe e përkthimit letrar, çmim ky, për të cilin, ndër të tjerë, është propozuar edhe libri im ‘(Po)etika e fjalës’”, kishte shkruar Vinca në një komunikatë për shtyp.

Përpos Hamitit janë ndarë edhe disa çmime të tjera.

Çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë i është dhënë shkrimtarit Ardian Haxhaj për romanin “Kujtimet e një çifuti’’, ndërsa për librin më të mirë në poezi është shpërblyer Ndue Ukaj për veprën “Godo nuk vjen”.

Është shpërblyer po ashtu Anton Berisha për librin më të mirë për kritikë dhe eseistikë, “Letërsia per-formative”.

Juria po ashtu ka ndarë edhe çmimin për librin më të mirë të përkthyer që këtë vit e ka fituar përkthyesi Avdi Visoka për veprën “Njeriu i revoltuar”, të autorit Albert Kamy që Visoka e përktheu nga gjuha frënge.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›