Lohan: Zgjedhjet, test për Shqipërinë
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë tha se Shqipëria ka kushtet për të pasur zgjedhje të lira
TIRANË- Dy javë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar se Shqipëria duhet t'i tregojë Bashkimit Europian, pjekurinë politike për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve.
"Shqipëria ka mundësinë t'i tregojë BE-së se ka rritur nivelin e pjekurisë dhe se ka kapacitetet të organizojë zgjedhje të ndershme dhe të lira, sipas standardeve evropiane. Po e monitorojmë këtë test me një vëmendje të jashtëzakonshme. Duhet konsensusi i palëve në Parlamentin e ri për integrimin e Shqipërisë", - tha Lohan.
Ambasadori i Komisionit Europian e mbajti këtë qëndrim gjatë konferencës së organizuar dje nga Ministria e Integrimit "Drejt Europës" dhe delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, me rastin e mbylljes së projektit të asistencës teknike me një vlerë 2.5 milionë euro, e cila mbështeti qeverinë shqiptare në ngritjen e kapaciteteve administrative për procesin e integrimit.
Ambasadori i Komisionit Europian shtoi se Shqipëria ka arritur një nivel thelbësor të demokracisë, nivel i cili duhet treguar javët në vijim, me përfundimin me sukses të procesit zgjedhor dhe me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor.