E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjet njëjtë

Futbolli kosovar e feston sot 20 vjetorin e pavarësimit. Gjatë kësaj periudhe, gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Cilësia e skuadrave, pas dy dekadash, është më e ulët dhe kushtet e klubeve janë më të vështira. Izolimi i futbollit dhe infrastruktura e dobët ishin disa nga arsyet që futbolli kosovar ka ngecur shumë. Nga Moral Pozhegu më 13 shtator 2011 në ora 11:55

Kanë kaluar 20 vjet që kur futbolli kosovar u pavarësua nga ai ish-jugosllav, por gjërat nuk kanë shkuar siç pritej. Izolimi i futbollit kosovar, infrastruktura e dobët dhe puna joprofesionale në klube ishin disa nga arsyet që futbolli në vend të ngecë shumë.

A do të thotë kjo se kanë shkuar dy dekada huq?. Për këtë ka përgjigje trajneri Ajet Shosholli, i cili ishte njëri prej nismëtarëve të pavarësimit të futbollit kosovar, më 13 shtator të vitit 1991, fiks sot 20 vjet.

“Mendoj se gjëja më pozitive në histori të futbollit kosovar ishte pavarësimi i tij nga futbolli ish-jugosllav, është një vlerë e papërshkrueshme. Sa i përket dallimit të futbollit të atëhershëm me atë të sotmin, mund ta pranoj se në atë kohë skuadrat kosovare kanë qenë më cilësore, pasi që kishim ekipe të forta si Prishtina, Trepça, Vëllaznimi e Liria, që garonin në një ligë shumë të fortë si ajo ish-jugosllave, që lirisht mund të themi se ishte ndër 3-4 më të fortat në Evropë. Skuadrat kanë qenë shumë më në nivel, ndërsa s’ka munguar as puna profesionale dhe cilësia e ligës e bënte të veten”, deklaroi Shosholli.

Trajneri mitrovicas, i cili një pjesë të mirë të jetës ia kushtoi pikërisht futbollit kosovar, e pranon se në periudhën 91-99 skuadrat kanë luftuar vetëm për mbijetesë, për shkak të kushteve të vështira. Por, sipas tij, sporti ishte edhe një politikë, për t’iu kundërvënë armikut. Në krahasim me këtë periudhë 8 vjeçare, gjërat janë përmirësuar, por pak, shumë pak. Shosholli e tregon edhe ‘recetën’ se si mund të ecën përpara futbolli i izoluar kosovar.

“Pas luftës ka filluar ngritja e cilësisë, por pak më ngadalë se që është pritur. Me pranimin në UEFA mendoj se do të ngrihet cilësia. Duhet punuar edhe në infrastrukturë. E përshëndes veprimin e Ministrisë së Sportit, e cila siguroi për ndërtimin e 6 terreneve ndihmëse. Kur të ketë kushte optimale, do të ngrihet edhe futbolli i këtushëm”, vazhdoi ai.

“Për të ecur përpara futbolli, nevojitet punë profesionale. Duhet të punojmë me kategoritë e reja dhe me shkollimin e trajnerëve jashtë vendit. Kjo duhet të jetë politikë e secilit klub kosovar”, përfundoi Shosholli.

Për nder të 20 vjetorit të pavarësimit të futbollit kosovar, të martën (sot) do të zhvillohet ndeshja miqësore ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, e cila ishte e para pas mëvetësimit të sportit kosovar.

Në këtë duel, që zhvillohet në Prishtinë duke filluar në orën 15:00, do të paraqiten lojtarët që u paraqitën edhe në ndeshjen e 91-shit, por edhe gjyqtarët dhe delegati i njëjtë.

Shosholli mendon se kjo ndeshje mund të shkruhet lirisht në histori të futbollit kosovar dhe të kujtohet gjithmonë. Ndërkohë, në orën 17:00 do të mbahet një ceremoni për kremtimin e 20 vjetorit të pavarësimit të futbollit të Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›