E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 janari”, dy hetues të SHBA në Prokurori

28/01/2011  Takojnë grupin e hetimit, pritet ardhja e ekspertëve të FBI-së dhe ATF

Ushtarët e Gardës s’pranojnë të shkojnë tek mjekësia-ligjore

TIRANE- Dy përfaqësues nga ambasada amerikane në Tiranë kanë vizituar sërish Prokurorinë e Tiranës, ku janë takuar me prokurorët e çështjes që po hetojnë ngjarjen e “21 janarit”. Rreth orëve të paradites së djeshme ata kanë zhvilluar një diskutim me grupin hetimor, lidhur me fillimin e punës për ekspertimin balistik të armëve të Gardës, si dhe nxjerrjen e një ekspertize shkencore mbi vrasjet e tre demonstruesve të Partisë Socialiste. Pritet që në ditët në vazhdim të vijnë dhe agjentët specialë të FBI-së dhe ATF-së, të cilët do merren me këqyrjen e plotë të vendit të krimit, si dhe me prova të tjera që Prokuroria shqiptare nuk është në gjendje t’i nxjerrë në mënyrë shkencore. Nga sa mësohet amerikanët do përqendrohen vetëm në nxjerrjen e të dhënave se nga kanë ardhur plumbat dhe se viktimat janë vrarë nga plumba që kanë ndryshuar drejtim (Rikoshet). Aktualisht një version i tillë është faktuar nga ekspertët shqiptare, të cilët pas ekzaminimeve me mikroskop kanë vërejtur se plumbi që ka vrarë gjirokastritin Zyber Veizi, ka pësuar deformime çka tregon se ai ka pësuar drejtim pas përplasjes me ndonjë send të fortë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme Prokuroria ka urdhëruar gardistët e plagosur t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore, por ata s’kanë pranuar të shkojnë në institut duke kërkuar që doktorët e mjekësisë-ligjore të paraqiten në ambientet e Gardës. Sipas burimeve, këta të fundit s’kanë pranuar të shkojnë në ambientet e Gardës, duke pohuar se mjetet e ekzaminimit shkencor ndodhen në institut dhe jo në gardë. Nisur nga kjo situatë Garda s’ka pranuar as urdhrin e Prokurorisë për t’u paraqitur në institutin e mjekësisë-ligjore, duke pretenduar se të plagosur gjenden në shërbim ushtarak. Veç këtyre veprimeve grupi hetimor i ngritur për hetimin e ngjarjes së 21 janarit, ka sekuestruar regjistrat e daljes së municioneve me qëllim krahasimin e plumbave të marrë me atë që janë konsumuar gjatë mbrojtjes së godinës së Kryeministrisë.

E. Qyno

Mes dëshmitarëve dhe Fatos Mahmutaj

Gjashtë dëshmi kyçe për vrasjet në bulevard

Gjashtë dëshmitarë okularë në tre vrasjet e demonstratës së 21 janarit, janë marrë në pyetje gjatë kësaj jave në Prokurori, ku kanë treguar se gardisti që ka hapur zjarr ndaj viktimave ka qenë poshtë dritares së Kryeministrisë. Hysni Peposhi, gazetari Fatos Mahmutaj, si dhe 4 persona të tjerë konsiderohen nga Prokuroria si dëshmitë kyç për të ngritur akuzën e vrasjes ndaj drejtuesve të Gardës. Dëshmitarët kanë thënë në Prokurori se tre vrasjet kanë ardhur nga një armë e vetme, e cila është përdorur nga gardisti që qëndron i fshehur poshtë dritares së godinës së Kryeministrisë. Ndërkohë që në bazë të këtyre dëshmive, Prokuroria ka dokumentuar dhe vendin ku është vrarë demonstruesi nga Fieri Faik Myrto. Sipas burimeve, Myrto është qëlluar me një plumb të vetëm, në momentin kur ai ndodhej mes rrugës së Gjykatës Kushtetuese dhe dy kullave binjake. Në këtë vend është gjendur gjaku i viktimës, si dhe disa prova të tjera që vërtetojnë pozicionin e vrasjes së tij.

“I rraha policët se më rrahën”

Qëlloi policët, mbetet në burg Gjin Pjetër Ndreu

Gjin Ndreu, demonstruesi i cili është fokusuar nga kamerat me një pistoletë në brez, ka mbetur në qeli, pasi gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndreu u ndalua nga policia menjëherë sapo ishte liruar nga gjykata. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore demonstruesi i PS-së Gjin Ndreu pohoi se sulmin ndaj policëve e kishte bërë si hakmarrje ndaj tyre. Sipas tij, ata kanë ushtruar dhunë sistematike kur e kanë shoqëruar në polici, dhe menjëherë pas daljes ai ka shfryrë dufin e tij sapo ka parë patrullën e përgjithshme të policisë. Pas dëgjimit të palëve gjykata i ka dhënë “ok” kërkesës së prokurorit për ta lënë në burg pa afat shtetasin Gjin Ndreu.

I dënuari me burgim të përjetshëm kërkesë në gjykatë

Sëmundja, Arben Grori kërkon lirinë

I dënuari me burgim të përjetshëm Arben Grori kërkon lirimin nga burgu, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë. Kërkesa e tij është depozituar më 25 janar në gjykatën e Tiranës nëpërmjet të cilës Grori kërkon lirinë, pasi sipas pretendimeve të parashtruara vazhdimi i qëndrimit në burg ka rrezik t’i sjellë humbjes së jetës. Sipas burimeve nga spitali i burgut, Arben Grori vuan nga sëmundja e plakjes së parakohshme dhe nisur nga kjo situatë duhet trajtim tepër i avancuar dhe në kushte më komode për kurim të specializuar. Arben Grori është një emër i njohur në botën e krimit, ku gjykata e ka shpallur fajtor për akuzën e vrasjes me paramendim dhe trafikut të lëndëve narkotike. Prej disa vitesh ai mbahet i izoluar në spitalin e burgut, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

Prokuroria kërkon sigurimin e dëshmisë së tij

Vrasja e Nozllit, taksisti në gjykatë

Vrasja në Kërrabë e shtetasit Shkëlqim Nozllit ka detyruar Prokurorinë e Tiranës t’i drejtohet gjykatës për të bërë sigurimin e dëshmisë së taksistit Leonard Shkoza, i cili transportoi viktimën dhe autorin e vrasjes, shtetasin Alban Kusi. Pritet që seanca të zhvillohet javën që vjen ku taksisti do ridëshmojë edhe një herë tjetër para gjykatës së Tiranës, për të qartësuar më mirë rrethanat e transportimit në Kërrabë të dy personave, si dhe vrasjen e shtetasit Shkëlqim Nozlli. Mësohet se në deklarimet paraprake, taksisti ka pohuar se kishte dëgjuar dy të shtëna. Ato kanë ardhur në momentin kur viktima dhe autori i ngjarjes, kanë zbritur nga makina dhe kanë hyrë në një rrugë fshati, që ndodhet në zonën e Kërrabës. Më pas janë dëgjuar të shtënat dhe në makinë është rikthyer vetëm shtetasi Alban Kusi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›