E Shtunë, 31 Tetor 2026

270 shqiptare me pak Ne vitin 2010

Dekretet Presidenti firmos edhe për dhënien e nënshtetësisë për 70 të huaj

270 shtetas kanë dorëzuar pasaportën shqiptare me kërkesën e tyre brenda vitit 2010. Të dhënat dalin nga dekretet e Presidentit të Republikës Bamir Topi, gjatë gjithë vitit që shkoi, i cili duhet thënë se ka sjellë reduktim në prirjen e qytetarëve për të lënë shtetësinë shqiptare. Me një numër relativisht të vogël paraqitet edhe dekretimi për dhënien e shtetësisë për qytetarë që e kërkojnë atë. Vetëm 70 është numri i qytetarëve më të rinj shqiptarë të cilët, përmes firmës së Bamir Topit, kanë fituar të drejtën e një pasaporte të Shqipërisë. Gjithsesi ky grupim paraqet më shumë interes nga pikëpamja e larmisë së kombësisë që karakterizon personat e interesuar për t’u konvertuar në qytetarë shqiptarë. Arabë, turq, shqiptarë të përtej kufirit, si dhe italianë, janë pjesë e grupit që në 2010-n kanë përfituar pasaportën shqiptare. Ndërkohë ky akt, që është tagër i Presidentit, ka zgjuar së fundmi një reagim që lidhet me liberalizimin e vizave dhe të drejtën që një dokument identiteti i Shqipërisë i jep mbajtësit të saj për të udhëtuar për në vendet e Bashkimit Europian. Kështu rrjeti i shoqatave shqiptare ka kërkuar së fundmi që procedurat ligjore për sa i përket dhënies së shtetësisë shqiptare për qytetarë me kombësi shqiptare, që nuk e kanë shtetësinë, të reduktohet dhe të diferencohet në raport me shtetas që kanë kombësi të huaj. Nëse kjo kërkesë do të sanksionohet atëherë kontingjenti përfitues teorikisht përfshin të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›