28 Nëntor, Shqiptarët festojnë 99-vjetorin e Pavarësisë
Shqipëria sot feston 99-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj. Në mbarë vendin pritet që atmosfera festive të përfshije çdo cep të tij. Si sot 99-vjet më parë Shqipëria u shpall e pavarur nga zgjedha e huaj, dhe nga prangat e prapambetjes shumë shekullore. Dekorimet tradicionale nëpër qytete, aktivitetet festive-kulturore priten të gjallërojnë dhe të mbledhin shqiptarët në festën e Flamurit.
Metropoli shqiptar prej ditësh është dekoruar me simbole kombëtare ku mbizoterojnë natyrisht ngjyrat e flamurit kuq e zi. Bashkia e Tiranës ka publikuar të shtunen programin e plotë të aktiviteteve që do të mbahen në kryeqytet në këtë ditë të shenuar. Aktivitet të shumta argëtuese do të shoqerojnë gjithë ditën e sotme të gjitha grupmoshat nëpër sheshe, teatro, galeri dhe kinematë e Tiranës.
Por jo vetëm kryeqyteti, edhe Vlora, vendi ku u ngrit me tërë madhëstinë e tij flamuri kombetar 99 vjet më parë pritet të ndizet nga atmosfera festive. Bashkia e këtij qyteti ka programuar aktivitete të shumta në këtë ditë të shenuar. Presidenti Bamir Topi do të jetë i pranishëm në ceremoninë në sheshin e Flamurit në oren 10:00. Vlora e veshur kuq e zi do të mirëpresë çdo shqiptar për të festuar sëbashku ditën e Pavarësisë.
Mesohet se kryeministri Berisha do të marrë pjesë në homazhet tek memoriali Nënë Shqipëri si dhe tek varrezat e Dëshmorëve. Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha mesohet se do të jetë në homazhet për nder të Adem Jasharit, pranë bustit të tij në rrugën e Durrësit dhe pas tij do të vizitojë panairin Blej Shqip në kryeqytet.
Ndërsa kryetari i opzitës shqiptare, Edi Rama që aktualisht ndodhet në Kosovë për promovimin e librit Kurban, mesohet se festën e flamurit do ta festojë sëbashku me popullin shqiptar të Kosovës.
Festimet janë shtrirë kudo ku ndodhen shqiptarë. Prishtina është veshur e gjitha kuq e zi, dhe priten edhe në kryeqytetin e Kosoves të ketë një serë aktivitetesh të festive. Shkupi po ashtu do të festojë festën e Pavarësisë, në qytet do të mbahet një koncert festiv në sheshin Skënderbeu.
Struga, Kumanova dhe shumë vende të tjera ku ka shqitar kanë vendosur në axhendat e tyre moment festive për këtë ditë të shenuar të mbarë kombit shqiptar.
Shqipëria me 28 nentor të viti 1912 shpalli pavarësinë e saj me ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. I cili u kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri nga Trieste për në Durrës e më tej për në Vlorë. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ku ndër burrat e fortë erdhën Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla, Dedë Gjo Luli dhe Sali Butka. Qemali u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Datë e cila perkon edhe me krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Shkrime të tjera me interes: