E Diel, 1 Nëntor 2026

5355 vezhgues KQZ serish tension mes paleve

Zgjedhjet e 8 majit do të monitorohen nga mbi 5355 vëzhgues të cilët deri tani janë akredituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Numri i vëzhguesve vendas shkon në 4700, ndërkohë që një delegacion i përbërë nga 62 persona nga ambasada amerikane, mes tyre edhe ambasadori Aleksandër Arvizu, do të jenë pjesë e vëzhguesve të 8 majit.

“KZQ ka akredituar 5300 vëzhgues nga të cilët 500 janë të OSBE, 63 vëshgues janë akredituar nëpërmjet ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, dhe shkëlqesia e tij, Arvizu është një prej tyre”-tha Arti Lushi, zëdhënës i KQZ-së.

Një tjetër debat brenda anëtarëve të komisionit qendror të zgjedhjeve ishte edhe akredimi i mediave si vëzhgues. Nënkryetarja, Dëshira Subashi duke intepretuar nenin 6 të kodit zgjedhor thotë se mediat kanë të drejtë të akreditohen, ndërkohë përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti interpreton nenin 21, pika 1 e kodit elektoral, ku mediat e kanë të drejtën të jenë në qendrat e votimit dhe numërimit të votave, por jo në cilësinë e vëzhguesit, por në cilësinë e medias për të filmuar pa asnjë pengesë.

“Nqs do të vijnë dhe do të kërkojnë të akreditohen si vëzhgues në qendër votimi, apo KZAZ, statusi i vëzhguesit është tjetër për detyrimet që lindin në proces, për kushtet që plotësojnë për t’u njohur si i tillë. Këtë të drejtë, media s’ka pse ta kërkojë sot, por jo si vëshguese por si përfaqësuese e medias”- tha Kosovrasti.

Pesë ditë larg zgjedhjeve të 8 majit, tensioni është reflektuar edhe tek anëtarët e KQZ-së. Nënkryetarja Dëshira Subashi nuk ka dëgjuar deri në fund fjalën e përfaqësuesit të PD për qendrat e numërimit të votave, duke u larguar nga mbledhja 5 minuta përpara përfundimit të saj.

“Padiskutim që anëtarët kanë të drejtë të rrinë apo të ikin. Kur u larguan për 3 muaj rresht nuk ka ndonjë gjë të keqe të ikin edhe 5 minuta përpara përfundimit të mbledhjes”- tha Kosovrasti.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›