E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ne Korce Qeveria si fsheh dot te papunet

Kryetari i opozitës Edi Rama kërkoi në Korçë votën për kandidatin e socialistëve në këtë qytet, Niko Peleshi. Rama akuzoi qeverisjen e djathtë për një milion të papunë që nuk i fsheh dot asfalti elektoral dhe as rritjen e çmimeve dhe plagët e rënda të vendit.

Në afrim të datës së zgjedhjeve, Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e presionit të votës, pasi ajo është e fshehtë dhe nuk mund të kontrollohet nga askush, tha kryetari i opozitës.

“Dëgjojmë gjithëfarë përpjekjesh për t’i shpëtuar ndëshkimit të 8 majit që pret Sali, Ilir dhe të gjithë me rradhë, oborrin e pushtetit, për të gjitha paudhësitë e këtyre kohëve. Përpjekje për të blerë votën, për t’i lënë njerëzit pa votuar duke u blerë kartën e identitetit. Askush të mos e dorëzojë atë, se rrezikon të dorëzojë të dhënat personale, të mbetet peng i atyre të cilët i duan shqiptarët të papunë, të varfër, të dhunuar sepse duan t’i sundojnë e me paratë që vjedhin të shkojnë e të blejnë varfërinë e tyre”- tha Rama.

Në mbështetje të kandidatit Peleshi në Korçë deputetët Pandeli Majko e Ben Blushi kërkuan votën për partinë socialiste, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë të keqeverisur nga Sali Berisha.

”Ne votojmë në 8 maj kundër varfërisë, kundër papunësisë kundër korrupsionit, kundër Sali Berishës”-tha Blushi.

Ndërsa kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, për Bashkinë e Korçës Niko Peleshi, ka prezantuar projektit e tij për këtë qytet, si investime në infrastrukturë që do të realizohen sipas tij, në 4 vitet e ardhshme.
 

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›