E Shtunë, 31 Tetor 2026

700 punëtorët e “Kurum” në protestë

Kompania njoftoi dje se do të mbyllë furrat e shkrirjes për shkak të mungesës së energjisë elektrike nga OST-ja.

Shkak është bërë një vendim i Ministrisë së Ekonomisë, vendim i cili është kthyer në ligj ku kompanitë e mëdha janë të detyruara të shkëputen nga rrjeti i furnizimit publik dhe ta sigurojnë energjinë në mënyrë private. Për pasojë, 700 punëtorë do të mbeten pa punë në muajt në vazhdim.

Kreu i Konfederatës Sindikale, Kol Nikolla, tha se “shkak për krijimin e kësaj situate  në këtë  kompani industriale  është bërë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike duke u ndërprerë puna në uzinat e  çelikut dhe petëzimit, por për pasojë dhe në atë të oksigjenit, gëlqeres etj".

Ndërprerja e energjisë elektrike është bërë si pasojë e mungesës së një marrëveshje mes kompanisë dhe OSSH-së. Sipas Nikollit, është e pafalshme që faturën e një krize ta përballojnë punëtorët, duke shtuar se “punëtorët janë të pafajshëm, ata nuk kanë sjellë krizë, punëtorët kërkojnë bukë, ata nuk kërkojnë të dinë se kush e solli krizën, korrupsionin apo trafikun. Ata kërkojnë punë”. Kryetari i Federatës së Industrisë, Tafë Koleci,  është shprehur se  janë të vendosur deri në fund për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Në bazë të ligjit, në tregun vendas të konsumatorëve të energjisë ka dy lloj klientësh, ata tariforë dhe klientë të kualifikuar. Klientët tariforë e blejnë energjinë me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë, ndërsa klientët e kualifikuar furnizohen me energji elektrike nga tregu i parregulluar. Këta të fundit ose mund të futen në tregun e lirë vetë, ose mund të furnizohen nëpërmjet furnizuesve të kualifikuar.

Sipas të dhënave të METE, kërkesa e CEZ Shpërndarje sh.a. për energji elektrike për këtë vit, për këtë kategori konsumatorësh parashikohet të jetë rreth 800 milionë Kwh, ose rreth 15 për qind e kërkesës vjetore të kërkuar nga KESH sh.a. Kjo shifër nuk përfshin kërkesat e reja për trajtimin si klientë tariforë të konsumatorëve të tjerë industrialë gjatë vitit 2012.

Sipas METE, në kushte të tilla, KESH vihet përballë dy detyrimeve: të sigurojë energji elektrike për të gjithë kërkesën e shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, që është shumë më e lartë se prodhimi i hidrocentraleve të KESH-it dhe të përballojë një kosto më të lartë për sigurimin e saj. /Start/

                                                                                             2012-01-13 14:22
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›