E Diel, 1 Nëntor 2026

8 Mars nisin bisedimet Prishtine- Beograd

Prishtina zyrtare konfirmon 8 marsin si datë për nisjen e bisedimeve mes dy delegacioneve, të Kosovës dhe të Serbisë. Lajmi i publikuar më parë në media, është konfirmuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka saktësuar se ky takim do të mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Sipas Rexhepit, në takim pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e SHBA.

Ministri i Brendshëm i Kosovës nuk ka shpjeguar më gjatë se cila janë çështjet që mund të bisedohen në takimin e pare. Sipas tij, takimi i parë pritet të përqëndrohet në formatin që do të kenë bisedimet në të ardhmen.

Një ditë më parë, shefja e delegacionit të Kosovës për këto bisedime, Edita Tahiri ka mohuar kategorikisht që në këto bisedime të shtrohet çështja e statusit politik të Kosovës. Zëvendëskryeministrja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, njëkohësisht e deleguar e qeverisë për bisedimet Prishtinë- Beograd, aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Delegacioni kosovar ku bën pjesë edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, do të ketë takime me nivele të larta të Departamentit të Shtetit, si dhe të Kongresit Amerikan. Dy zyrtarët kosovarë do të takohen edhe me zëvendëssekretarin e Shtetit, Xhejms Stajnberg.

Tahiri dhe Hoxhaj do të mbajnë një ligjëratë në Qendrën për marrëdhënie transatlantike në Universitetin Xhons Hopkins me temën: “Kosova pas zgjedhjeve dhe sfidat para saj”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›