E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËR NJË RISHIKIM TË HISTORISË SË SHQIPËRISË



Isha në konferencën e zhvilluar nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat në një nga sallat e hotel “Tirana International”, mbi problemet mbi këtë organizatë të njohur dhe qëndrimin e kësaj partie ndaj kësaj çështjeje. Shtyrë nga zhvillimi i saj, në mendjen time filluan të vijnë rrotull shumë mendime të ndryshme dhe kujtime të lindura vite më parë. Ndonëse kam shkruar edhe herë të tjera për to, ia vlen t’i përmend përsëri.

Isha pothuajse fëmijë pesëmbëdhjetëvjeçar. Deri në ato çaste, historinë e Shqipërisë e kisha mësuar sipas metodës së asaj kohe, me himnizimin e figurave komuniste dhe injorimin e atyre nacionaliste. Në sytë e mi çdo nacionalist ishte si ata që paraqiteshin në filmat e kohës të tipit “Kur zbardhte një ditë” apo “I teti në bronz”. Fati e pruri, them fati, se qe me të vërtetë një mrekulli, që përfundova në burg për të mësuar historinë e vërtetë të këtij kombi.

Në burg pata fatin të njoh disa nga liderët e nacionalizmit shqiptar. Më lejoni të përmend disa prej tyre: Doktor Isuf Hysenbegasi, avokat Xhevdet Kapshtica, Haki Karapici, Fatosh Kokoshi, Jani Ikonomi, inxhinier Sami Bitincka, Andrea Xega, klerikë Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku, agronom Meçan Hoxha dhe plot e plot të tjerë që kishin mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe që komunizmi i kishte përplasur në humnerat më të thella. Ishin pikërisht këta burra të shquar që më mësuan se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që më kishin mësuar komunistët. Ata më mësuan se organizata e Ballit Kombëtar ishte themeluar qysh në ditët e para të pushtimit fashist dhe kishte shpallur programin e saj demokratik, “Dekalogun” e famshëm, të hartuar nga simboli i nacionalizmit, i pavdekshmi Mithat Bej Frashëri. Më mësuan për luftërat e shumta që kishin zhvilluar kundër pushtuesve, në disa raste edhe në bashkëpunim me forcat e Frontit Nacionalçlirimtar. Më mësuan për forcat e tjera nacionaliste, ato të legalitetit të kryesuara nga Abaz Kupi apo ato të Muharrem Bajraktarit, Kryezinjve e të tjerë. Më mësuan së fundi për marrëveshjen historike të Mukjes, të hedhur poshtë në mënyrë flagrante, pasi e kishin nënshkruar edhe vetë, nga Partia Komuniste, sipas udhëzimeve të udhëheqësve të saj, emisarëve jugosllavë.

Kështu që dola nga burgu me mendime të tjera. Këto mendime ua transmetova fëmijëve të mi, nipërve dhe mbesave të mia. Fundi i viteve ‘90 më ngjalli shpresën se duhej korrigjuar çdo gjë, duhej rishikuar çdo gjë. Por për fat të keq, nuk ndodhi kështu. Komunizmi i kishte akoma të forta rrënjët në Shqipëri. Ndaj tij nuk u luftua plotësisht. Para dy vitesh, një mbesa ime, nxënëse e klasës së tetë, më afrohet dhe më pyet:

“Mor dajë, ti historinë ma ke treguar ndryshe, kurse profesori i historisë na i

trajton në mënyrë tjetër. Kë të besoj unë?”

Mbeta keq. Mora librin e historisë, botim i vitit 2003, dhe lexova në fund të

kapitullit 13/2:

“Një pjesë e nacionalistëve kundërkomunistë nuk e njohën Konferencën e

Pezës dhe nuk pranuan vendimet e saj. Ata në nëntor të vitit 1942, krijuan organizatën “Balli Kombëtar”. Në krye të këtij grupimi u vu Mithat Frashëri. Në “Dekalogun”, programin politik të Ballit Kombëtar, parashikohej që të luftohej për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Një fraksion ballistësh mendonte se Balli Kombëtar do të fitonte simpatinë dhe mbështetjen e popullit vetëm në qoftë se do të luftonte kundër pushtuesit. Mirëpo, në gjirin e Ballit triumfoi platforma e shumicës me Mithat Frashërin në krye, e cila ngulte këmbë që, hë për hë, organizata të mos angazhohej në luftë të armatosur, por t’i ruante forcat për t’i dhënë goditjen vendimtare ushtrisë partizane, pasi ajo të ishte dobësuar nga ndeshja me ushtritë e armikut”.

U skandalizova nga një interpretim i tillë i historisë. Mendova se rinia shqiptare vazhduaka të helmohet ende me propagandën komuniste, tani pas tetëmbëdhjetë vjetëve të shembjes së sistemit komunist. Nuk u besoja syve të mi. Hodha vështrimin në emrat e atyre që kishin përpiluar këtë tekst. Vura re emra personash të njohur dhe me tituj në fushën e historisë. Të tillë ishin prof. dr. Myzafer Korkuti, prof. dr. Petrika Thëngjilli, prof. dr. Gazmend Shpuza, prof. as. dr. Fatmira Rama, prof. dr. Xhelal Gjeçovi, prof. as. dr. Ajet Shahu dhe prof. dr. Ana Lalaj. Për një çast mendova se si ka mundësi që figura të tilla të njohura të shkencës historike të bien kaq poshtë, sa të krijojnë vepra të tilla të cilat vetë historia do t’i hedhë në koshin e plehrave? Si ka mundësi të mohojnë atë luftë të bërë nga nacionalizmi shqiptar kundër pushtuesve fashistë? Si mund të harrohen betejat e njohura të Gjormit, Selenicës, Drashovicës, Mogilës, Miricës dhe shumë të tjera të bëra së bashku me forcat partizane? Si mund të harrohet Termopila shqiptare, rënia legjendare e heroit nacionalist Hysni Lepenica, së bashku me tridhjetë e pesë komandantë të tjerë çetash në Grehotin heroik? Në rast se, sipas tyre, ballistët nuk paskan luftuar kundër pushtuesve, si ka mundësi që Partia Komuniste pranoi të bisedonte me ta, si të barabartë ndërmjet tyre, në Mukje? Vetëm një i verbër apo një pseudohistorian pa karakter mund t’i mohojë këto. Unë, një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, që ka hequr pasojat e atij regjimi, pres reflektimin e tyre për këto çështje. Në rast se nuk u mungon kuraja civile, le të shprehen hapur në shtyp. Ne jemi të gatshëm për debat.

Njoftimet e ditëve të fundit për vendimet e qeverisë për ngritjen e institutit për hetimin e krimeve të komunizmit dhe rishkruarjen e historisë së vendit tonë patjetër na ngjallin shpresën se më në fund, megjithëse me vonesë, do të dalë e vërteta historike në shesh. Por ne kërkojmë që në këtë institucion të caktohen njerëz kompetentë dhe të përkushtuar për të vërtetën historike, pa marrë parasysh përkatësitë partiake të tyre dhe, detyrimisht, një pjesë duhet të jetë e propozuar nga shoqata e të përndjekurve politikë, përfaqësuesja e asaj shtrese që i hoqi mbi shpinën e saj tmerret e gjenocidit komunist.

Ne përshëndesim ligjin mbi dëmshpërblimin material të të përndjekurve politikë, me gjithë vërejtjet që kemi për të, ngritjen e memorialit për nder të kujtimit të tyre apo hapjes së muzeumit për këtë gjenocid, por, për të thënë të vërtetën, ajo që na shqetëson më tepër, është vënia në vend e dinjitetit të kësaj shtrese në veçanti dhe nacionalizmit shqiptar në përgjithësi. Mendojmë se ky është një nga kushtet kryesore për një paqe sociale dhe barazi midis shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Ne jemi në pritje. Është në nderin e autoriteteve përkatëse që të mos e kthejnë në demagogji dhe propagandë elektorale. Ky është mesazhi ynë.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë, Tiranë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›